10 minute read

Përfundime

Në 14 muaj e gjysmë sa zgjati pushtimi i Shqipërisë nga Gjermania naziste media luajti një rol të rëndësishëm në pasqyrimin e dinamikës së ngjarjeve dhe qëndrimeve, për të komentuar e analizuar aktualitetin e perspektivën, imazhin e perceptimin e klasës politike dhe autoriteteve ushtarake, sulmet e ndërsjella mes kundërshtarëve në luftë e politikë, opinione e ndjesi të njerëzve të zakonshëm, të vërteta të retushuara ose të stisura nga redaktorët. Kjo ishte detyra e saj në krah ose përballë faktorëve kryesorë institucionalë, politikë e ushtarakë. Në çdo fazë të procesit, duke e mbështetur ose duke e kundërshtuar pushtimin e vendit nga një ushtri e huaj, duke e mbështetur ose duke e kundërshtuar angazhimin dhe orientimin e administratës shqiptare në të gjitha nivelet, por dhe duke debatuar mbi aspekte që nuk lidheshin direkt me këta dy elemente thelbësorë, media e asaj periudhe është një gjurmë e pazëvendësueshme. Së bashku me dyzinën e letrave dhe dokumenteve që prodhon dhe arkivon çdo qelizë e një rendi burokratik publik, ajo ndihmon që edhe tani pas afër 7 dekadash të ndihesh si i familjarizuar me histori dhe evente që nuk i ke jetuar asnjë grimë.

Me optikë shumëngjyrëshe për informacionin, pikëpamjet e mesazhet që janë përcjellë nga njësitë mediatike - paçka se diku

Advertisement

dhe jashtë kontekstit, diku me gjykimin e varësisë “bardh e zi” dhe diku në trajtë procesverbali të ftohtë – ato janë një ndihmë e madhe për gjithkënd që synon të bëjë retro, për gjithkënd që mundohet të kapë fillin në një histori të kaluar. Kjo ka qenë e vlefshme dhe e dobishme pa asnjë dilemë edhe për kohën e pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste. Në fund të prezantimit të detajizuar të mënyrës sesi është sjellë media shqiptare nga fillimi i shtatorit të vitit 1943 dhe deri në fund të nëntorit 1944, përmbledhtazi po rendis disa përfundime:

 Struktura zyrtare mediatike e Shqipërisë së pushtuar nga

Italia fashiste, ashtu e tkurrur, e trullosur dhe e zbehtë nga zhvillimet në terren, në fundin e verës së vitit 1943, nuk përmendi asnjë fjalë për rrezikun që i kanosej vendit nga okupacioni nazist gjerman. Heshti madje dhe kur formacionet ushtarake gjermane shkelën në territorin shqiptar dhe nisën të depërtojnë në thellësi të tij. Kjo ishte shërbesa e fundit që bënin redaksitë e linjës zyrtare, duke e tërhequr vëmendjen e opinionit për nga zhvillimet në

Italianë fiqnje, për shpalljen e kapitullimit pa kushte, për situatën kaotike në Romë, duke trumbetuar se gjithçka ndodhte ishte një “ngjarje e brendshme italiane”, shoqëruar me apelin qeveritar që të gjithë të rrinin të qetë, “secili në krye të detyrës dhe punës së vet”. Indiferencë mbi zhvillimet aktuale në ditët e para të pushtimit shfaqi dhe propaganda nacionaliste: eksponentët kryesorë të Ballit Kombëtar e bënë këtë në respekt “të rregullave të lojës” për frytet e negociatave paraprake me palën gjermane për ndërtimin e administratës së re; legalistët ishin në një proces riorganizimi të përshpejtuar politik e ideologjik, si një forcë më vete, pas divorcit që bënë me komunistët. Ndërkohë që gazetat dhe buletinet informative që kontrolloheshin nga Partia Komuniste Shqiptare e dënuan dhe e shpallën ushtrinë gjermane si armikun kryesor për kauzën e tyre.

 Një frymë e hapur kundër zyrtarëve që kishin shërbyer në kohën e pushtimit italian në të gjitha nivelet e administratës zyrtare u përcoll dhe tek shpurra e gazetarëve dhe nëpunësve që do të angazhoheshin në sistemin propagandistik, duke afruar ata që kishin kryer studime në botën gjermanike, që kishin afeksion për Gjermaninë, të pakënaqur nga sistemi i mëparshëm, por pa shpëtuar dhe nga ato firma që kishin “ngrënë gjithmonë bukë” në saje të përdorimit dhe përshtatjes me çdo lloj pushteti. Pranë Ministrisë së

Kulturës Popullore ishte një sektor i veçantë që kontrollonte produktin e medias zyrtare, si një njësi censure e udhëzimi, një burim konstant i opinioneve dhe komenteve që zinin kollonat e dukshme në faqet e para të shtypit proqeveritar.

Kjo lëndë ishte në sinkron me politikat e autoriteteve ushtarake gjermane dhe ekzekutivit e legjislativit me përbërje tërësisht shqiptare.

 Autoritetet gjermane nuk frymëzuan dhe nxitën përhapjen e gazetave, revistave apo transmetimeve radiofonike në gjuhën e tyre, siç kishin vepruar me tepri më parë italianët.

Në botimet periodike të kësaj periudhe letërsia dhe kultura gjermane nuk u panë si prioritare. Në faqet e shtypit politik nuk kishte faqe të veçanta në gjuhën gjermane.

Në botimet kulturore, filozofike dhe fetare përkthimi nga letërsia gjermane, prezantimi i historisë, kulturës, artit në përgjithësi nga ky vend ishte predominues; në realitet ishte në hapësira thuajse sa me ato të vendeve të Ballkanit, apo me shtete të tjera të botës. Edhe Radio Tirana disa muaj pas pushtimit, përveç emisioneve të lajmeve në gjuhën gjermane i emetonte ato dhe në “gjuhët e Aleatëve Antifashistë”, në anglisht e frëngjisht.

 Në ndryshim nga fillimet e pushtimit italian kur openenca propagandistike antifashiste ishte e dobët dhe sporadike,

gjermanët u ndeshën me nje fluks më të konsoliduar të kundërshtarëve të regjimit, që përgatitej dhe shpërndahej në zona të ndryshme të vendit, aty ku influenca e komunistëve dhe strukturave të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar ishte më e madhe. Vendin e trakteve të hedhura në rrugë dhe poshtë dyerve e kishin zënë gazeta dhe buletine informative. Gjithashtu në kohën e pushtimit italian nuk përmendej askund veprimtaria e grupeve antifashiste, si dhe gazetat e revistat që ishin nën kontrollin e tyre. Në periudhën e pushtimit nazist gjerman rrethanat ishin ndryshe dhe rezistenca e armatosur e kundërshtarëve të regjimit dhe mjetet e tyre propagandistike nuk mund të fshiheshin dhe të injoroheshin. Ndaj dhe një pjesë e lëndës mediatike ishte në formën e kundërpërgjigjes, replikimit ose përgënjeshtrimit, në një frymë përballjeje informative dhe ideore, për situatën në terren, bilancin e luftës, për performancën e administratës, për perspektivën e vendit. Ballafaqimi mes strukturave mediatike kundërshtare, i mbizotëruar nga një gjuhë e drunjtë, me etiketime, anatenime dhe denigrime të personalizuara ishte pasqyrë e një armiqësie në kushtet e luftës, me konfrontim të armatosur për jetë a vdekje.

 Sipas platformës politike, ushtarake dhe ideologjike që zbatuan për pushtimin e Shqipërisë, nazistët gjermanë e orientuan rrjetin mediatik dhe propagandistik në dy linja kryesore. Së pari, ushtria e tyre ishte për shkak se “të tilla u krijuan rrethanat e luftës”, ndaj qëndrimi kishte një mision të përkohshëm dhe miqësor, se Fyhreri “nuk kishte as pretendimin më të vogël territorial”, përkundrazi, pesë ditë pas dislokimit ushtarak u rishpall në Tiranë akti i pavarësisë së Shqipërisë. Linja tjetër ishte plotësim i së parës: me gjermanët zgjidhej problemi i Shqipërisë etnike, një objektiv më i avancuar nga premtimi që kishin bërë

dhe nuk kishin mbajtur më herët fashistët italianë. Në këtë mënyrë, me prezencën e nazistëve gjermanë zgjidhej dhe problemi kombëtar, rikthim tek kufijtë natyralë dhe tek ato territore të aneksuara padrejtësisht, duke evituar rrezikun e kahershëm për copëtim nga lakmia e shteteve fqinje. Në esencë kredoja mediatike e propagandistike e nazistëve ishte: “Gjermania jo pushtuese, por shpëtuese e Shqipërisë!”

 Veç trajtimit me prioritet të çështjes kombëtare, propaganda zyrtare përfshinte dhe një gamë temash nga aktualiteti politik, ushtarak, ekonomik, social e kulturor. Asnjëherë nuk mungonte breshëria e akuzave dhe denoncimi publik për periudhën e pushtimit të vendit nga fashistët italianë, si vitet “e vuajtjeve, persekutimeve, djegieve, plaçkitjeve” dhe aq më tepër kur njerëzit ishin “ndierë të përbuzur dhe të prekur në sedrën kombëtare”. Zinte vend të dukshëm gjithashtu dhe refreni apelues për bashkimin e të gjithëve, për durim e qetësi në kapërcimin e situatave të vështira që kalonte vendi, bashkëpunim me autoritetet ushtarake dhe mbështetje për procesin e reformave dhe nismave të qeverisë, thirrje për heqje dorë nga rezistenca e armatosur dhe ndëshkim për të pabindurit dhe ata që i mbështesnin. Në faqet e gazetave proregjimit shfaqeshin jo rrallë dhe deklarata e opinione nga të rinj “të penduar e të zhgënjyer nga komunistët dhe Lëvizja Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Këtyre rrëfimeve dhe historive personale u shtoheshin dhe komunikata, lajme e kronika nga fronti i luftës, gjithmonë me fitore e bilanc pozitiv në favor të nazistëve gjermanë gjatë konfrontimeve të armatosura me formacionet partizane ose njësitë territoriale të armatosura. Pasqyroheshin gjerësisht dhe reformat e planet e qeverisë për stabilizimin e situatës, diskutime për çështje jo thelbësore nga aspekte të ndryshme sociale,

ekonomike, kulturore, sportive etj., pa harruar mënyrën skematike të botimit të letrave dhe mendimeve nga lexuesit, si dhe hapësirën e zgjeruar të lajmeve dhe komenteve nga zhvillimet ndërkombëtare.

 Një konflikt tejet i ashpër propagandistik mes komunistëve dhe nacionalistëve u shfaq gjatë pushtimit të vendit nga nazistët gjermanë. Dështimi i Marrëveshjes së Mukjes i acaroi shumë shtabet politike të PKSH-së dhe Ballit

Kombëtar, si dhe solli mëvetësimin e Legalitetit si një forcë e djathtë me ëndrrën për rikthimin e sistemit monarkik në Shqipëri. Në këtë shtyp politik përçohej një konflikt me akuza e fajësime të ndërsjella, duke treguar me gisht njëri - tjetrin si tradhtarë dhe përçarës të kombit. Subjektet kryesore politike ishin krejt të ndara jo vetëm për pozicionin që kishte zgjedhur secila prej tyre në raport me formacionet ushtarake gjermane dhe qëndrimin ndaj institucioneve të shtetit, por dhe për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, për problemin e Kosovës dhe të kufijve, të zgjedhjes së aleancave në planin ndërkombëtar etj. Brenda rradhëve të nacionalistëve, ballistëve dhe legalistëve u shfaqën fërkime dhe mosmarrëveshje

 Gazetat dhe buletinet informative që mbështeteshin nga komunistët kishin si orientim kryesor propagandimin e luftës së pandërprerë dhe të ashpër kundër pushtuesve nazistë, bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë, si dhe kundër qeverisë dhe administratës që u krijua pas okupacionit. Ata glorifikonin angazhimin dhe sakrificat që Partia Komuniste Shqiptare dhe Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar kishin bërë në kohën e pushtimit fashist italian duke vijuar deri në çlirimin e plotë të vendit. Në kuadër të luftës për pushtet propaganda e komunistëve kishte në shënjestër aktivitetin e dy organizatave nacionaliste, ku dukshëm arsenali më

i madh i kritikave, akuzave dhe etiketimeve përçmuese shkonte kundër ballistëve. Duke përfshirë shpotinë dhe notat minimizuese të kontributit që kishte dhënë Balli Kombëtar kundër fashistëve italianë, për bashkëpunimin me trupat gjermane dhe me qeveritë kukull, për rolin përçarës në bashkimin e popullit kundër pushtuesve etj. Ndërsa legalistët portretizoheshin në botimet periodike të komunistëve si ithtarë të rikthimit të një regjimi “prapanik” e “antipopullor”, siç e konsideronin ata kohën e mbretërisë shqiptare. Duke i vënë të dyja rrymat nacionaliste në “një thes” propaganda antipushtuese lëshonte thirrjen për të gjithë ata elemente, të cilët e ndienin veten në rrugë të gabuar, që të dezertonin “sa më parë nga organizatat tradhtare” dhe të bashkoheshin me rradhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

 Tematika kryesore në faqet e shtypit nacionalist kishte prioritare zgjidhjen e çështjes kombëtare, të ndërtimit të një

Shqipërie etnike. Ballistë e legalistë shikonin si një rrezik luftën e komunistëve, që kishte nisur si një luftë kundër pushtuesit dhe vijonte si “një luftë civile”, “vëllavrasëse”, ku “shqiptarët vrisnin shqiptarët.” Për ballistët, komunistët shqiptarë bashkëpunonin me komunistët jugosllavë në dëm të çështjes së Kosovës. Po sipas tyre, të kuqtë shqiptarë, serbë, maqedonë e italianë donin të krijonin një “qeveri sovjetike shqiptare me punëtorë e luftëtarë të provuar në fushën antishqiptare”. Mbështetja ndaj qeverisë ishte një tjetër mesazh i medias nacionaliste, pasi në të ishin afruar njerëz patriotë “që kërkonin të jepnin ndihmën e tyre që

Shqipëria të kalonte çastet më të vështira në historinë e saj”.

Për propagandën që kontrollohej nga Lëvizja e Legalitetit kredoja kryesore ishte: “rikthimi tek Mbretëria”. Si e vetmja zgjidhje për “t’u rikthyer tek shteti, rendi dhe mbrojtja e zgjidhja e problemit kombëtar”.

 Vetëm pak muaj pas pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste, administrata hoqi monopolin ndaj shtypit, në një përpjekje të përmirësimit të imazhit dhe nxitjes për iniciativën private në media. Përfituesit më të mëdhenj të këtij akti liberalizues ishin disa revista kulturore e filozofike të themeluara rishtazi. (Ndonjë gazetë e re me përmbajtje aktualiteti e kësaj periudhe ose u soll si shtojcë e propagandës zyrtare, ose “u kolovit” në probleme e tema anësore e pa peshë.) Në revistat që u themeluan në muajt e parë të vitit 1944 u angazhuan një sërë personalitetesh të rëndësishëm të kulturës shqiptare, autorë veprash, përkthyes, studiues e kritikë të artit e letërsisë etj. Në faqet e tyre u botuan dhe perla të krijimtarisë, shkruar ose përkthyer nga autorë që vërtet nuk jetonin më, por ishin pjesë e thesarit kulturor, folklorik e historik shqiptar.

Revistat nxitën realisht konkurrencën mes krijuesve duke shpalosur një hapësirë të vlefshme në promovimin e kulturës dhe mendimit shqiptar dhe të huaj, si një impakt i prekshëm në shërbim të edukimit dhe pasurimit kulturor të lexuesve, por dhe si ura të komunikimit me krijimtarinë e zgjedhur nga vendet e tjera, në një atmosferë tymi dhe baruti të shkaktuara prej afër gjysmë dekade nga Lufta e

Dytë Botërore.

This article is from: