23 minute read
7- Vështrim krahasues për rolin e medias në Luftën e Dytë Botërore
7
vëSHtrIM KrAHASueS Për rOLIN e MedIAS Në LuftëN e dytë BOtërOre
Advertisement
Mënyra sesi Roma dhe më pas Berlini u përpoqën
të ndërtonin “Shqipërinë italiane” dhe “Shqipërinë gjermane”.
Pritja që i bëri media shqiptare invazioneve ushtarake
të fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë.
Ndërtimi i sistemit i kontrollit dhe censurës në
periudhën e dy pushtimeve.
Veçori të raporteve mediatike dhe propagandistike
mes komunistëve dhe nacionalistëve.
Fitimtari i luftës vendos rregullat: ndërtim i një
modeli propagande të centralizuar, censurë të plotë ndaj shtypit dhe transmetimeve.
Kur shpërthyen krismat dhe u ndezën flakët e para të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria kishte rreth katër muaj e pushtuar nga njëra prej ushtrive të Fuqive të Boshtit, Italisë fashiste. Katër vjet e gjysmë më pas vendin e fashistëve italianë e zunë nazistët gjermanë. Dy pushtimet e njëpasnjëshme në periudhën e Luftës së Dytë Botërore e kishin shkërmoqur mbretërinë 10 vjeçare të Ahmet Zogut, kishin mjelur rezervat nëntokësore dhe mbitokësore të vendit për të mbështetur makinën dhe infrastrukturën militare të pushtuesve, kishte drobitur ekonominë në tërësi dhe kishin thelluar problematikën sociale. Çështja kombëtare, ajo e kufijve dhe rikthimit të territoreve “të kafshuara” nga vendimet e kancelarive dhe orekset sistematike të fqinjëve, u premtuan nga Roma dhe Berlini se do të merrnin udhë në favor të shqiptarëve. Por në kohë lufte sendërtimi dhe finalizimi i planeve dhe ambicieve janë në varësi të statusit që palët ndërluftuese fitojnë në fund të saj, fitues apo humbës. Pavarësisht dekretimeve dhe vendimeve që u morën fillimisht nga fashistët italianë për Kosovën dhe më pas objektivat që shpallën me mburrje nazistët gjermanë për ta plotësuar më shumë hartën e Shqipërisë etnike, në mbarim të nëntorit 1944, kur nga territori shqiptar u largua dhe ushtari i fundit pushtues, të gjitha këto vendime e synime rezultuan kallp, si një mirazh joshës dhe sugjestionues, që u çfaneps me okupatorët. Shqipëria e Luftës së Dytë Botërore, në këtë kapitull shikohet nga këndvështrimet e medias së kohës, jo në mënyrë kronologjike sipas shijeve dhe kalendarit të ngjarjeve historike, por duke respektuar kriterin e vlerësimit krahasues mes dy pushtimeve; për mënyrën sesi punuan e reaguan mjetet propagandistike shqiptare në mbulimin e disa prej aspekteve më kryesore, ku synohet të dalë e përbashkëta dhe e veçanta në secilën periudhë okupuese. Sepse të tilla ishin dhe vetë planet, ideimet, zbatimet dhe rrethanat në të cilat u kryen aktet pushtuese nga fashistët italianë dhe nazistët
gjermanë me elemente të ngjashëm dhe specifikë; sepse e tillë ishte dhe mënyra sesi fillimisht Roma dhe më pas Berlini u përpoqën të ndërtonin “Shqipërinë italiane” dhe “Shqipërinë gjermane”.
Në këtë vështrim krahasues mes dy periudhave janë analizuar tre nga elementet përbërës më thelbësorë, që kanë të bëjnë me qëndrimin e medias shqiptare ndaj invazionit ushtarak; instalimin e sistemit të kontrollit dhe censurës ndaj njësive mediatike e propagandistike; si dhe raportet mes organeve të shtypit që kontrolloheshin nga komunistët dhe nacionalistët.
7.1 Qëndrimi i medias shqiptare ndaj dy pushtimeve ushtarake
Gjatë javës së parë të prillit 1939 asnjë nga gazetat zyrtare e gjysmë zyrtare që botoheshin në kryeqytetin shqiptar, nuk shkruan asgjë për rrezikun e pushtimit të vendit nga Italia fashiste. Heshtja dhe indiferentizmi mediatik ishin “blerë” me kohë. Strategët dhe zyrtarët në Italinë fqinje, të cilët me kohë ishin angazhuar për planifikimin dhe zbatimin e një plani pushtues ushtarak në Shqipëri, ashtu siç kishin punuar me një pjesë të mirë të elitës politike, burokratike dhe intelektuale të vendit, ashtu kishin bërë për vete me të gjitha mënyrat dhe mjaft protagonistë të redaksive dhe drejtues të tyre. Edhe kur media ndërkombëtare ziente nga lajmet dhe komentet se mes qeverive të dy vendeve kishte një situatë të nderë dhe se po përgatitej një sulm ushtarak i italianëve në Shqipëri, këto paralajmërime nuk u kapën nga “antenat” e propagandës shqiptare.
Në mënyrë shumë të kujdesshme dhe telegrafike për të amortizuar plotësisht efektin e “gojëve të liga” u përgatitën përgënjeshtrime uniforme për të gjitha redaksitë. “Disa gazeta të huaja, si dhe persona të papërgjegjshëm kanë përhapur ndër këto ditët e fundit lajme të gënjeshtra mbi Shqipërinë dhe marrëdhëniet e saj me Italinë. S’ka dyshim se këto lajme kanë për qëllim
me paraqit në mënyrë të gabueme marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Italisë”,(1) shkruante gazeta Shtypi. Kurse organi profashist Gazeta Shqiptare, (filiali në Shqipëri i të përditshmes bareze Gazzeta di Puglia) e shtonte dhe më shumë dozën e “qetësuesit” për publikun kur shkruante në datën 4 prill se: “Marrëdhëniet italo - shqiptare janë gjithmonë fort të përzemërta. Lajme tendecioze nuk mund të prekin këtë miqësi që rrënjoset sa më shumë.” (2) Madje në përmbajtjen e tekstit shkohej deri aty sa pohohej e kundërta e asaj që gatuhej në të vërtetë: “Nuk është në qëllimin e qeverisë italiane me ba atentat kundra pavarësisë dhe tërësisë tokësore të Shqipënisë”. (3)
Të pafuqishme u treguan dhe ato gazeta që njiheshin për linjën e tyre të fortë pro Mbretërisë. Me nota të zbehta gazeta Drita shfaqte reagimin ndaj konfliktit mes Mbretit Ahmet Zogu dhe autoriteteve italiane, si dhe ultimatumet nervoze që këta të fundit dërgonin drejt Tiranës zyrtare. Duke iu referuar një komunikate të ATSH-së, gazeta mohonte zërat ndërkombëtarë për vendosje protektorati ndaj Shqipërisë (pa i përmendur fare italianët!) dhe shprehte me nota patetike se “Shqipëria nuk do të pranojë kurrë një cënim të indipendencës dhe të integritetit të saj.” (4) I vetmi organ që doli nga udha e linjës zyrtare ishte Gazeta e Korçës. Variantit zyrtar për situatën ajo i shtoi dhe njoftimet mbi zhvillimin e një demonstrate popullore në Korçë, si dhe telegramin përshëndetës që iu kishte dërguar demonstruesve Mbreti Zog. “Populli i Korçës me anë të një demonstrate të madhe shfaq besimin se Mbreti Zog do ta udhëheqë me trimëri për të mbrojtur Atdheun. Të gjitha sakrificat do të bëhen për të ruajtur lirinë e Shqipërisë”,(5) shkruhej me gërma të mëdha dy ditë para pushtimit në këtë gazetë.
Në orët e para të 7 prillit 1939, kur fashistët italianë ishin rrugës për zbarkimin në Shqipëri nga deti dhe ajri, “nxori kokën”
(1) Shtypi, datë 3 prill 1939, faqe 1. (2) Gazeta Shqiptare, datë 4 prill 1939, faqe 1 (3) po aty (4) Drita, datë 5 prill 1939, faqe 1 (5) Gazeta e Korçës, datë 5 prill 1939, faqe 1.
Agjencia e Lajmeve Stefani, e cila ndërkohë shpërndante lajmin nga Roma në të gjithë botën se gjithçka ishte kryer dhe se: “trupat italiane zbarkuan në portet e Shqipërisë dhe u pritën me entuziazëm nga populli shqiptar.” Më pas kori i gazetave shqiptare që qarkullonin në atë periudhë hapur shpërtheu në entuziazëm për mbërritjen e skalioneve me ushtarë nga vendi fqinj. Si gjithmonë në avangardë të opinioneve ishte Gazeta Shqiptare, që edhe në këtë rast i jepte drejtim qëndrimit që duhet të mbanin redaksitë e tjera: “Italia e Musolinit ndërhyri në Shqipni jo vetëm për të mbrojtun interesat e saj të njohuna politike, strategjike dhe ekonomike, por dhe me e mbrojtë atë pjesë të shëndetshme të opinionit publik shqiptar që asht e bindun për të rivendosun një rend të ri, që i siguron popullit shqiptar atë rend shoqëror që është kusht kryesor për përparimin dhe mbarëvajtjen e vendit në të gjitha fushat”.(6) Orientimi u ngjyros dhe me lavde për pushtuesit: “Faqja e re e historisë shqiptare, problemet tona do të zgjidhen me ndihmën e Italisë fashiste”(7) dhe në një gazetë tjetër këshillohej që “Italia na erdhi për të mirën tonë. Ta presim me miqësi të kthjellët, me fytyrë të çelët e jo me hipokrizi e dallkaukllëk”(8) .
Rezistencë mediatike ndaj pushtimit të vendit bëri nëpërmjet valëve të Radio Tiranës, ish-kryeministri i njërës prej qeverive në kohën e mbretit Zog, Mehdi Frashëri. Thirrjet patriotike të tij, që dënonin aktin e ushtrisë italiane u transmetuan në disa gjuhë të huaja dhe gjetën vend tek Gazeta e Korçës, por ato tingëllonin si zëra të mekur të padëgjueshëm nga tërërsia e “trumpetave” propagandistike të porositura dhe të mirëmonitoruara prej italianëve.
Në prag të pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste sistemi mediatik zyrtar zgjodhi sërish heshtjen në trajtimin e kësaj teme. Në fillim të shtatorit 1943 gazeta Tomori, Radio Tirana e Agjencia Telegrafike Shqiptare ishin përqendruar në zhvillimet që ndodhnin në Romë, ku shkohej drejt kapitullimit pa
(6) Gazeta Shqiptare, datë 9 prill 1939, faqe 1. (7) Drita, datë 18 prill 1939, faqe 2. (8) Shtypi, datë 14 prill 1939, faqe 1.
kushte dhe tërheqjes nga lufta të armatës italiane, e dëmtuar dhe demoralizuar seriozisht nga rezultatet e muajve të fundit në vijën e frontit. Më 9 shtator 1943, ditën kur trupat ushtarake të nazistëve gjermanë përparonin me shpejtësi në territorin shqiptar, Radio Tirana kishte në buletinet e lajmeve vetëm hollësi për reagimet pas shpalljes së kapitullimit. Asnjë rresht për aktin e ri të pushtimit. Të nesërmen në mëngjes në numrin e gazetës kryesore në Shqipëri, Tomori, si lajm i parë ishte një deklaratë thirrjeje e kryeministrit Ekrem Libohova, përcjellë opinionit nëpërmjet ATSH-së. Libohova shprehte me nota patetike nevojën “për rregull dhe bashkim”. “Me ngjarjen e armëpushimit që bëri Italia fillon për Atdheun shqiptar një fazë e re tepër e rëndësishme dhe preokupuese. Do të mundim ta kapërcejmë vetëm nëse do të vendosim të bashkohemi që të gjithë, pa asnjë dallim, rreth flamurit dhe të lidhim besën e shenjtë për t’i dalë zot Atdheut.” (9) Pjesa tjetër e lëndës në faqen e parë ishte me njoftime të thata, duke përfshirë dhe botimin e krijimtarisë letrare (si në një ditë të zakonshme), pavarësisht se Shqipëria 24 orë më parë përballej me një pushtim të ri. Redaksia e Tomorit nuk e “kapi lajmin” e pushtimit as të nesërmen.
Ndryshe nga mbërritja e fashistëve italianë, rreth katër vjet e gjysmë më parë, kur në Shqipëri nuk kishte media opozitare dhe alternative (në fazat e para të pushtimit, të paktën deri në verën e vitit 1942, grupet antifashiste e shprehnin revoltën e tyre me përgatitjen dhe shpërndarjen në zonat e banuara të trakteve, thirrjeve ose duke shkruar parrulla kundër italianëve dhe qeverisë nëpër mure) në vjeshtën e vitit 1943 vijonin të dilnin gazetat ose buletinet informative të komunistëve dhe nacionalistëve. Në kushtet e ilegalitetit dhe të varfërisë teknike e teknologjike ato ishin më të konturuara dhe të larmishme në përmbajtje. Organi qendror i Partisë Komuniste Shqiptare, Zëri i Popullit, në numrin e muajit shtator të atij viti shprehu një qëndrim të ashpër ndaj pushtuesve gjermanë, duke i cilësuar ata si armiqtë kryesorë të
(9) Tomori, datë 10 shtator 1943, faqe 1.
Lëvizjes Nacionalçlirimtare: “Lufta e popullit shqiptar vazhdon e paprerë dhe më e ashpër se kurrë kundra okupatorit gjerman dhe kundra gjithë atyre, italianë ose shqiptarë qofshin, që ndihmojnë ushtrinë gjermane, ose që duan në njërën mënyrë, ose në tjetrën të pengojnë lëvizjen nacionalçlirimtare të popullit tonë.”(10) Pushtimin gjerman e dënoi dhe Radio Korça, në ambientet e së cilës qysh nga fundi i pushtimit fashist italian ishte rritur influenca e komunistëve. Në vjeshtën e vitit 1943 ajo u zhvendos në një zonë që kontrollohej nga partizanët për t’u vënë në shërbim të tyre. Por shumë shpejt “dalja në mal” e saj u zbulua dhe u ndëshkua rëndë nga ushtarët gjermanë, duke e shkatërruar e djegur plotësisht atë.
Propaganda e pjesës tjetër që kishte luftuar kundër pushtuesve fashistë italianë, nacionalistët e grupuar tek Balli Kombëtar dhe ata të Lëvizjes së Legalitetit, e përcollën të përmbajtur dhe me indiferencë pushtimin e nazistëve gjermanë. Revista mujore e ballistëve Lufta e shlirimit kombëtar në edicionin e shtatorit nuk e trajtoi fare këtë çështje, një qëndrim i kuptueshëm ky, pasi eksponentë të Ballit kishin nisur negociatat me autoritetet gjermane për të marrë poste kyçe në administratën e re pas finalizimit të operacionit ushtarak të pushtimit. Ndërkohë që Legalistët e Abaz Kupit në prag të pushtimit gjerman ishin në një proces riorganizimi si forcë politike më vete, pas divorcit që kishin bërë me Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar që kontrollohej nga komunistët, qëndrimi i tyre i dyzuar ndaj okupacionit veç shkaqeve organizative, lidhej dhe me ndikimin që misioni britanik kishte tek drejtuesit e Legalitetit.
7.2 Instalimi i sistemit të kontrollit dhe censurës ndaj njësive mediatike e propagandistike
(10) Zëri i Popullit, shtator 1943, faqe 7.
Në zbatim të plotësimit të misionit për përhapjen në shkallë të gjerë të ideve dhe moralit fashist në rradhët e popullatës, pushtuesit italianë pak javë nga mbërritja në Shqipëri ndërmorën një reformë të thellë në infrastrukturën mediatike. Pavarësisht se gazetat me përmbajtje aktualiteti, të trashëguara nga koha e regjimit monarkik, e kishin “kthyer fletën” dhe kishin dalë hapur në mbrojtje të pushtimit italian, u gjykua se ato ishin të pabesueshme në opinion, ndaj dhe u mbyllën. Në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit dolën organe të orientura qartë në mbrojtje të italianizimit dhe fashistizimit të shoqërisë shqiptare. Dirigjimin dhe monitorimin mediatik e menaxhonte Drejtoria e Përgjithshme për Shtypin, Propagandën dhe Turizmin (DPSHPT), një hallkë censure që ishte në varësi të drejtpërdrejtë të kryeministrit. Në krye të Drejtorisë u emërua publicisti italian, Nikolo Laruso Atoma, drejtuesi i profashistes Gazeta Shqiptare, një njohës perfekt i realitetit dhe i qarqeve mediatike shqiptare prej më shumë se një dekade. “Ditën që Zyra e Shtypit dhe Propagandës ra në duart e italianëve u vendos të mbyllen fletoret që botoheshin deri atëhere”.(11)
Në tregun e gazetave dhe revistave pas mbylljes së titujve të periudhës së Legalitetit “gëluan” organe të reja si Vlora e Re, Këmisha Fashiste, Korça Fashiste, Rinia Fashiste etj., të cilat dhe ashtu nga emërtimi e tregonin misionin dhe përmbajtjen. Ndërsa organi kryesor ishte Fashizmi (që më pas u quajt Tomori). Për Radio Tiranën pushtuesit premtuan modernizimin e saj teknik e teknologjik, sipas së cilit “Shqipëria do të ketë një nga radiostacionet më të fuqishme të Ballkanit.”(12) Mëkëmbësi i Mbretit Viktor Emanueli III në Shqipëri, Françesko Jakomoni, në një kohë që pranonte “lulëzimin e revistave dhe gazetave të reja”,(13) në periudhën menjëherë pas pushtimit, kundërshtonte prezencën e censurës. “Nuk u botuan kurrë në Shqipëri ligje që të
(11) Tahir Zavalani, Histori e Shqipinis, pjesa e dytë, botuar në Londër, 1966, faqe 249. (12) Fashizmi, datë 23 dhjetor 1939, faqe 1.
vendosnin një censurë parandaluese të shtypit. Ishte krijuar pranë kryesisë së Këshillit Shqiptar Drejtoria e Përgjithshme e Shtypit, por ajo interesohej për çështjet që u duheshin të interesuarve.”(14) Mëkëmbësi kishte të drejtë në një aspekt, pasi njësitë e reja mediatike ishin produkte të vetë sistemit të sapoinstaluar në Shqipëri dhe ato as që mund të kishin kurrfarë problemi me pozicionin dhe idetë që shpërndanin në publik.
Për italianizimin e publicistikës shqiptare u aplikuan dhe marrëdhëniet e shkëmbimit profesional mes redaksive nga të dy vendet. Më i qëndrueshëm ishte “binjakëzimi” mes Tomorit shqiptar dhe Telegrafos në Itali. Veç dhënie marrjes së informacionit në mënyrë të ndërsjellë u vendos që drejtori i partnerit italian, Xhovani Ansaldo, të shkruante në mënyrë sistematike analiza dhe komente, në mënyrë specifike për çështje të marrëdhënieve rajonale, por dhe raportet e Italisë në një plan më të gjerë ndërkombëtar. Këtë marrëveshje kooperuese e paralajmëronte edhe vetë Tomori, kur shkruante se Ansaldo “herë pas here do të shqyrtojë dhe do të përmbledhë pamjet e lëvizshme të gjendjes politike ndërkombëtare”. (15)
Edhe autoritetet gjermane qysh në fazën e parë të pushtimit organizuan një sektor të veçantë në Ministrinë e Kulturës Popullore, që do të mbulonte dhe kontrollonte aktivitetin e medias dhe botimeve në tërësi. U themelua organi kryesor zyrtar, Kombi (më pas u quajt Bashkimi i Kombit), ndërkohë që në hapësirat e transmetimeve të Radio Tiranës dhe buletineve të Agjencisë Telegrafike Shqiptare përçoheshin politika dhe direktiva të administratës kukull me përbërje tërësisht shqiptare. Por sistemi i kontrollit dhe censurës gjatë pushtimit gjerman dukej më i zbutur se ai i italianëve. Kjo lidhej në rradhë të parë me rrethanat në të cilat mbërritën në Shqipëri ushtritë e tyre, si dhe një grup faktorësh që kishin të bënin me qëllimet gjeostrategjike
(13) Francesko Jacomoni, Politika e Italisë në Shqipëri, botim i “55”, Tiranë, 2005, faqe 182. (14) po aty (15) Tomori, datë 13 mars 1940, faqe 1.
dhe potencialet e burimeve njerëzore e materiale që secili nga të dy aleatët e Boshtit zotëronte në momentin e zbarkimit për në territorin shqiptar.
Në një krahasim të dy periudhave, bie në sy se nazistët gjermanë në Shqipëri nuk orientuan dhe nxitën botimin e gazetave dhe revistave, apo transmetimeve radiofonike në gjuhën e tyre, siç e kishin ekzagjeruar këtë dukuri fashistët italianë deri në mërzi e pakënaqësi për popullsinë. Arti, kultura, tradita, historiografia gjermanike nuk u panë si prioritare. Në hapësirat e shtypit që mbulonte aktualitetin nuk kishte faqe më vete në gjuhën gjermane, në dallim nga faqet e dikurshme italiane. Në rubrikat e artit dhe të kulturës përkthimi nga letërsia gjermane, prezantimi i veprave, autorëve dhe kritikëve të saj, në përgjithësi nuk zuri një vend predominues, por thuajse ishte sa hapësira që zinte prezantimi i tyre nga vendet ballkanike, apo në pjesë të tjera të globit. Edhe Radio Tirana disa muaj pas pushtimit, veç buletineve të lajmeve në gjermanisht emetonte gjithashtu dhe në “gjuhët e Aleatëve Antifashistë”, në anglisht e frëngjisht.
Nuk u emërua ndonjë funksionar gjerman në krye të sektorit të kontrollit të medias dhe ajo që ishte më e rëndësishme, në tre muaj pasi kishin mbërritur në Shqipëri ata hoqën monopolin ndaj shtypit. “Sot kemi nevojë të madhe për liri shtypi, kemi nevojë që opinioni publik shqiptar të përtrajtohet dhe të marrë një qëndrim të caktuar kundrejt problemeve të brendshme kaq të trazuara e të turbulluara nga gjendja e luftës dhe nga trashëgimia jonë politike.”(16) Përtej këtyre frazave pompoze me të cilat e komentonte vendimin e autoriteteve Bashkimi i Kombit, ky akt që lejonte botimin e organeve periodike private, nuk është se dha ndonje impakt të dukshëm në daljen e gazetave vërtet të pavarura me përmbajtje aktualiteti, por realisht nxiti dhe gjallëroi në mënyrë të jashtëzakonshme një fluks revistash të reja me përmbajtje kulturore dhe filozofike.
(16) Bashkimi i Kombit, datë 28 janar 1944, faqe 1.
Një veçori tjetër mes dy pushtimeve ishte mënyra sesi e trajtonte media zyrtare frymën e rezistencës antifashiste dhe mjeteve të saj propagandistike. Në kohën kur fashistët italianë ishin në Shqipëri u ndalua plotësisht përmendja e aktivitetit të grupeve të armatosura nga rradhët e komunistëve e nacionalistëve (injorimi shkoi deri aty sa nuk u fol p.sh., asnjë fjalë dhe për atentatin që iu bë në mes të Tiranës Mbretit të Italisë, Viktor Emanueli III, në maj të vitit 1941), e në këtë kontekst as që bëhej fjalë për ndonjë replikë ose debat me gazetat, revistat, ose buletinet informative që publikoheshin prej tyre. Kurse në kohën e pushtimit gjerman, rezistenca e armatosur e Frontit Nacionalçlirimtar që mbështetej nga PKSH ishte më e organizuar dhe më e përforcuar se në kohën e italianëve. Duke qenë një ndër shqetësimet më të mëdha të autoriteteve gjermane dhe qeverive kukull, aktiviteti i kundërshtarëve të regjimit ishte pjesë e lëndës mediatike zyrtare, trajtuar më së shumti në formën e denigrimit dhe veshjes me të gjitha negativitetet e mundshme. Të dyja palët përfshiheshin dhe në replikime e përgënjeshtrime emocionale përmes mjeteve të tyre mediatike.
7.3 raportet mes organeve të shtypit që kontrolloheshin nga komunistët dhe nacionalistët
Mëri, grindje, akuza të ndërsjella, tallje dhe përdorim të të gjitha formave të shpotisë, një komunikim me gjuhë urrejtjeje deri në vdekje. Kjo ishte kurba e ndërtimit në mënyrë graduale e marrëdhënieve mes politikanëve shqiptarë me bindje të ndryshme politike e ideologjike, si një nga aspektet më interesante në periudhën e Luftës së Dytë Botëtore. Vija ndarëse e pikëpamjeve, ideve dhe vizionit për të ardhmen mes komunistëve dhe nacionalistëve, përbërja e lidershipit dhe shtresimet popullore që ata përfaqësonin, përbënin dy krahët kryesorë të politikës shqiptare, të majtët dhe të djathtët.
Në kohën e pushtimit italian komunistët dhe ballistët operonin si dy subjekte të veçantë, duke punuar fort në forcimin dhe zgjerimin e “vathës” së tyre me sa më shumë mbështetës e simpatizantë. Për të tërhequr sa më shumë vëmendjen e popullatës, duke ravijëzuar dy fronte të mëdha politike, që në kushtet e pushtimit të vendit nga ushtri të huaja, synonin secila për hesap të vet rezistencën e armatosur deri në çlirimin e vendit. Në pranverën e vitit 1943, muajt e fundit të pushtimit, të dy frontet shfaqën shenja mirëkuptimi dhe afrimi, aq sa në disa rajone të Shqipërisë koordinimi mes komunistëve dhe ballistëve bëhej hapur dhe me efekt pozitiv tek popullata. Padyshim që kjo frymë reflektohej dhe në mjetet propagandistike të tyre. “Të dyja forcat politike, si Fronti Nacionalçlirimtar i drejtuar nga PKSH, ashtu dhe Balli Kombëtar, me platformat e tyre politike kërkonin të arrinin të njëjtin përfundim: Shqipëri të lirë indipendente e demokratike… Megjithëse në komunikimin midis këtyre dy forcave ishte shfaqur aty këtu edhe ndonjë epitet, për të demaskuar palën tjetër, kjo dukuri nuk ishte shndërruar akoma në vijë për veprim politik. Por forcat politike, sidomos në terren, e vlerësonin njëra–tjetrën përgjithësisht si aleate, me të cilën mund e duhej bashkëpunuar dhe jo konfrontuar si armiq”. (17)
Nga ky shkak në fund të verës së atij viti nisi natyrshëm një përpjekje serioze që bashkëpunimi të ishte në nivelin më të lartë. Në ditët e para të gushtit 1943 u organizua një Mbledhje në fshatin Mukje, afër Krujës, ku morën pjesë delegacione me përfaqësues të rëndësishëm të Frontit Nacionalçlirimtar dhe të Ballit Kombëtar. Mbledhja prodhoi një Marrëveshje, që nga përmbajtja ishte historike, ku dy forcat krijonin të ashtuaquajturin Komitet për Shpëtimin e Shqipërisë, që do të drejtonte bashkimin e armëve kundër pushtuesve, për një Shqipëri të lirë, të pavarur, demokratike dhe popullore. “Marrëveshja e ‘Ballit’ me ‘Çlirimtaren’ është vepra më e bukur, më e urtë dhe më e dobishme për shpëtimin e Atdheut.
(17) Muharrem Dezhgiu, Shqipëria nën pushtimin Italian (1939 – 1943), faqe 277.
Por kjo marrëveshje nuk është veçse fillimi. Nuk ka arësye që të mos bëhet më e fortë, më e sinqertë dhe më e përshtatur për kohët e sotme. Ata që mendojnë ndryshe gabohen”.(18)
Pavarësisht kësaj prognoze optimiste të organit qendror të Ballit, Marrëveshja e Mukjes u prish në mënyrë të njëanshme nga pala e komunistëve. Vendin e përpjekjeve për bashkëpunim e zuri një armiqësi e thellë mes tyre. Në skenën politike shqiptare, pas kësaj, doli në pah dhe forca e tretë, Lëvizja e Legalitetit. Njëri prej
ithtarëve kryesorë të promonarkistëve Abaz Kupi, ishte angazhuar në struktura të larta të Frontit Nacionalçlirimtar, por pas “rënimit” të Mukjes, ai vendosi të shkëputet dhe të riorganizojë një formacion politik nacionalist më vete. Divergjencat politike, për rrjedhojë dhe ato propagandistike mes komunistëve e nacionalistëve (edhe mes Ballistëve e Legalistëve kishte fërkime e mosmarrëveshje në shtypin e tyre, sidomos për formën e ardhme të regjimit), që nisën në javët e fundit të pushtimit të Shqipërisë nga fashistët italianë u përkeqësuan në ekstrem në vijim të periudhës së pushtimit prej nazistëve gjermanëve.
Zëri i Popullit në numrin e muajit shtator 1943 ironizonte rolin dhe angazhimin e ballistëve në luftën kundër italianëve, si dhe
(18) Lufta e shlirimit kombëtar, nr. 5 - 6, faqe 3.
akuzonte se nuk po bënin asgjë për pushtimin e Shqipërisë nga nazistët gjermanë. Sipas gazetës, Balli “të hyjë në luftë me armë, në luftë të hapët, të ashpër dhe pa kondita kundër okupatorit hitlerian. Por Balli është larg kësaj pozite. Ne e kemi thënë me kohë që Balli është në pozita kompromisi dhe po shkon në pozita gjithnjë më të këqija.” (19) Më pas kur u konfirmua zyrtarisht mbështetja dhe pjesëmarrja e ballistëve në qeverinë kukull të Rexhep Mitrovicës, në Këshillin e Lartë të Regjencës dhe në Kuvendin Kombëtar, u forcuan notat akuzuese të gazetave dhe buletineve informative që publikonin komunistët. Në buletinin e gazetës Bashkimi shkruhej se “Organizata e Ballit Kombëtar, çerdhja e klikës më reaksionare që ka parë vendi ynë, është munduar gjithnjë nën maskën e nacionalizmit, e me tertip më të përsosur nga ai i Mustafa Krujës, të realizojë përçarjen e popullit shqiptar. Mbasi nuk ia doli në krye qëllimit tradhëtar të tij, Balli Kombëtar, filloi kohët e fundit një veprimtari më të gjerë dhe fare të hapët bashkëpunimi me okupatorin gjerman kundër Frontit Nacionalçlirimtar.” (20)
Propaganda e ballistëve përdorte po arsenal të rëndë akuzash në shpjegimin e rolit që luanin në jetën e vendit komunistët, duke e përshkruar rrugën e tyre si krejt të ndryshme nga ajo e Ballit, si versione që ishin në zgjidhjen “jetë a vdekje”. “Populli shqiptar, nga fushat e Kosovës martire deri te krepat e fundit të Jugut, sot, i mbledhur si një trup rreth Shqipes dy krenore vendos solemnisht që: ose do të rrojë i lirë me flamurin e trashëguar prej trimërisë së falangave të Kastriotit; me zakonet e doket e veta, ndër besë, krenari e racës s’onë mijëvjeçare; ose do të shuhet i tërë! Vetëm një ideologji për nderin tonë kombëtar, shkatërrimtare e vatrës sonë familjare, komunizma, duhet zhdukur patjetër, sepse ky është vullneti i prerë i popullit.”(21) Në një artikull tjetër të Mbrojtjes Kombëtare, organ lokal i ballistëve në Vlorë, që konsiderohej dhe si një nga bastionet e tyre, Fronti Nacionalçlirimtar etiketohej
(19) Zëri i Popullit, shtator 1943, faqe 1. (20) Bashkimi dhe buletinet e tij, (1943 – 1944), volumi II, faqe 359.
si një fasadë e komunistëve: “Partia Komuniste e filloi luftën nën maskën e nacionalizmit shqiptar dhe gjithë djalëria patriote dhe idealiste, ajka e vërtetë e Shqipërisë u bashkua me ta për të luftuar okupatorin.” (22) Më tutje në një pasazh tjetër sulmues: “Partia Komuniste e vetëquajtura shqiptare filloi një luftë klase, një luftë ideologjie prandaj antikombëtare në këtë rast, pse e lidhur dhe e urdhëruar prej partisë komuniste sllave, e cila është nën dipendencën e së tretës internacionale.” (23)
Një nga temat ku tregohej papajtueshmëri e thellë në mediat e grupimeve politike kundërshtare ishte çështja e Kosovës. Ballistët, por dhe Legalistët e konsideronin këtë si një kartë të fortë në përballjen me komunistët. Sipas tyre PKSH e kishte shitur tek jugosllavët e Titos interesin e Kosovës. “Partizanët jugosllavë e ndjejnë veten kaq shumë të lidhur për Kosovën sa lëshojnë mijëra vetë me pushtue toka thjesht shqiptare. Partizanët shqiptarë e shikojnë Kosovën kaq të huaj sa lusin perëndinë e tyre, Titon e adhuruar, të lëshojë disa divizione e të mbysë vullnetarët e rinj që shkojnë me vulos me gjak bashkimin e Kosovës me
(21) Mbrojtja Kombëtare, datë 28 nëntor 1943, faqe 1. (22) po aty (23) po aty
Shqipni!”(24) Komunistët nga ana tjetër nuk vononin të botonin artikuj përgënjeshtrues duke ia kaluar përgjegjësinë dhe fajin Ballit që “na akuzon për Kosovën. Neve s’e dashkemi Kosovën. Përrallë e vjetër. Kosova çlirohet me luftë kundër okupatorit gjerman, me luftë kundër tradhëtarëve dhe shovinistëve të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, me bashkëpunim në luftë me lëvizjen nacionalçlirimtare të Shqipërisë e të Jugosllavisë dhe të gjithë aleatëve tonë të mëdhenj e të vegjël të koalicionit të madh antifashist. Kosova nuk çlirohet tue shti kosovarët në luftë kundër fqinjëve të tyre serbo malazezë dhe tue drejtue falenderime Hitlerit, siç bën Rexhep Mitrovica me shokë.... Neve po luftojmë dhe do të luftojmë me fakte për lirinë e Kosovës. Por Balli Kombëtar ç’po bën veç grindjeve që po hedh dhe veç vëllavrasjes ku po e fut popullin e Kosovës me fqinjët e tij? Kështu çlirohet Kosova?”(25)
Me një retorikë të nxehtë komunistë e nacionalistë e kaluan gjithë periudhën e pushtimit nazist gjerman. Ajo ishte refleksion dhe rrjedhojë e veprimeve politike të këtyre dy grupeve në terren. Me largimin e formacioneve të ushtrisë pushtuese gjermane nga Shqipëria, në fund të nëntorit të vitit 1944, pushteti ra i tëri brenda një kohe të shkurtër në duart e PKSH-së, duke vendosur nën një kontroll të rreptë dhe mjetet mediatike. Fitimtari i luftës vendosi rregullat: duke ndërtuar një model propagande të centralizuar, censurë të plotë ndaj shtypit dhe transmetimeve, si dhe gjithçkaje që publikohej brenda territorit të Shqipërisë komuniste; një model që ishte në funksion të politikës së izolimit, të zhvillimit pa kompromis të luftës së klasave dhe goditjes së pamëshirshme ndaj çdo zëri që mendonte dhe vepronte ndryshe nga morali i “ndërtimit të socializmit” dhe “diktatura e proletariatit”.
(24) Flamuri, datë 25 qershor 1944, faqe 4. (25) Zëri i Popullit, tetor 1943, faqe 9 – 10.