24 minute read
4- Lufta ideologjike dhe politike mes periodikëve që botoheshin nga komunistët e nacionalistët
4
LuftA IdeOLOgjIKe dHe POLItIKe MeS PerIOdIKëve Që BOtONIN KOMuNIStët e NAcIONALIStët
Advertisement
Rivaliteti nuk ishte thjesht mospërputhje platformash e
idesh, por një sprovë force e ashpër për pushtet që degjeneroi në ngritje të armëve mes tyre.
Garë e ethshme për të marrë në popull “tapinë” e heroit për
kontributin dhe sakrificat në luftën ndaj fashistëve italianë.
Zëri i Popullit: “Organizata e Ballit Kombëtar, çerdhja e
klikës më reaksionare që ka parë vendi ynë.”
Gazeta e Ballit: “Lufta që u nis kundër të huajit dhe që u
zhvillua me aq lavdi u kthye në vjeshtën e 1943-së në luftë civile”.
Qëndrimet e skajshme për çështjen e Kosovës, dhe preferencat
për bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë.
Periudha kohore nga fillimi i shtatorit të vitit 1943 dhe deri në fund të nëntorit 1944 nuk u karakterizua vetëm nga qëndrimet pro apo kundër vendosjes së trupave gjermane në territorin e Shqipërisë, pro apo kundër mënyrës sesi u ngritën e funksionuan institucionet zyrtare. Nuk ishin vetëm këto dy elementë që prodhuan konfrontime propagandistike dhe shkëmbime zjarri mes palëve të armatosura, që mendonin dhe vepronin ndryshe. E lidhur ngushtë me këtë realitet të kalimit të vendit nga njëri pushtim, ai i fashistëve italianë, tek pushtimi tjetër i nazistëve gjermanë, në mënyrë të hapur dhe me një përshkallëzim të shpejtë në rradhët e popullsisë, zhvillohej dhe një rivalitet që nuk ishte thjesht mospërputhje platformash të mendimeve e ideve, për të tashmen dhe perspektivën e Shqipërisë, por një sprovë force e ashpër për pushtet mes protagonistësh dhe njerëzish të thjeshtë që degjeneroi në ngritje të armëve të secilës palë kundër njëra-tjetrës. Komunistët dhe nacionalistët shqiptarë në kohën e pushtimit fashist italian megjithë dallimet programore dhe të nivelit të shtresave sociale, u ngritën mbi këto duke shfaqur një tipar të përbashkët: në kushtet e okupimit të vendit nga një ushtri e huaj, në humbjen e pavarësisë dhe rrugën drejt kolonizimit, të majtë e të djathtë treguan në tërësi një reagim të njëjtë, përfshirjen në luftën kundër pushtuesit. Përveç faktorëve ndërkombëtarë, ushtarakë e politikë në teatrot e mëdhenj të luftës, zemërimi e rezistenca popullore shumëngjyrëshe në Shqipëri, godiste në shpinë forcat e Boshtit dhe ndikoi në shkurtimin e ditëve të pushtimit në vend. Pas dështimit dhe prishjes së njëanshme të Marrëveshjes së Mukjes, u krijua një hendek shumë i madh mes komunistëve dhe ballistëve, një armiqësi dhe luftë e egër për pushtet. Kështu dallimeve të deriatëhershme, që kishin bazë tek përfaqësimi, konceptet e regjimit dhe ndërtimit të shtetit, mënyra e zgjidhjes së çështjes kombëtare, aleancat dhe prioritetet e vendit
në arenën ndërkombëtare; pas aktit të kapitullimit pa kushte të Italisë fashiste iu shtua dhe mosmarrëveshja për mënyrën sesi do të ndahej pushteti në Shqipërinë e pasluftës.
Pjesë e këtij konfrontimi, ishte dhe gara e ethshme për të marrë sa më shumë merita për kontributin dhe sakrificat në luftën ndaj fashistëve italianë. Filloi të tregohet një histori e re me nota legjendare, me komandantë, drejtues e luftëtarë trima që mbi gjithçka kishin atdheun, për ta mbrojtur atë dhe me çmimin më të lartë, humbjen e jetëve njerëzore, për ta parë të lirë Shqipërinë nga këmba e pushtuesit. Në betejën për shpalljen e fitimtarëve dhe heronjve të luftës nuk mbetën mbrapa dhe nostalgjikët e regjimit monarkik, nacionalistët që po riorganizonin në fillim të vjeshtës së vitit 1943 Lëvizjen e Legalitetit, duke kujtuar me krenari qëndresën që iu kishte bërë italianëve në mëngjesin e 7 prillit 1939, simboli i tyre major Abaz Kupi. Secila palë, në të njëjtën kohë që “rrihte gjoksin” për veten, nuk harronte të “drejtonte gishtin” për të caktuar tradhëtarët dhe bashkëpunëtorët me fashistët italianë.
Këtë kërleshje politike për të marrë në popull “tapinë” e heroit, me akuza dhe romuze të ndërsjella, planifikuesit e pushtimit të ri të Shqipërisë nuk e lanë pa e shfrytëzuar. Duke u mbështetur tek modeli i pushtimit “me qeverisje tërësisht shqiptare” ata ja nisën me negociata dhe kontakte të drejtpërdrejta për t’u afruar tek aleatë më të natyrshëm në spektrin politik të brendshëm, duke krehur e duke joshur ish-zyrtarë të lartë, intelektualë të njohur me besim dhe afeksion tek Gjermania, përfaqësues nga shtresa e pasur që nuk u kishte “ndritur” shumë në kohën e italianëve, nga ata që ishin të pakënaqur, ose më mirë akoma, nga ata që ishin përndjekur ose internuar nga kundërshtimi dhe mospajtimi për aktin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, por pa harruar dhe pragmatistët, që i “bënin hyzmetin” çdo padroni e eprori, mjaft vetëm të kapardisej në ndonje karrige pushteti.
Edhe heshtja e Ballit Kombëtar për pushtimin e Shqipërisë nga Gjermania naziste pas 9 shtatorit 1943 u stigmatizua nga komunistët. Në dy numrat e Zërit të Popullit që u botuan në
muajt shtator dhe tetor të atij viti, në qendër të vëmendjes ishte nxjerrja në pah e heshtjes së Ballit Kombëtar ndaj asaj që ndodhte në Shqipëri, duke e konsideruar këtë si bashkëpunim të hapur me pushtuesit nazistë. Përveçse hidhnin romuze dhe shpotitej vetëmburrja dhe vetëlavdërimi i ballistëve në mediat e tyre për angazhimin heroik në luftën kundër pushtuesve fashistë italianë, hidheshin dhe akuza të drejtpërdrejta për krerët e Ballit, që nuk po bënin asnjë reagim publik mbi riokupimin e vendit. “Bashkë me popullin do t’a pyesim edhe ne pak Ballin Kombëtar se ç’mendon, dhe ajo që është ma me rëndësi se ç’po bën. Nuk lejohet sot një qëndrim ekuivok dhe sidomos ky qëndrim nuk i lejohet Ballit Kombëtar, i cili pretendon të punojë për lirinë e Shqipërisë. Balli Kombëtar duhet të mbajë një qëndrim të caktuar karshi kësaj situate; duhet të dënojë haptas me trakte okupacionin gjerman; duhet gjithashtu me shkrim të marrë pozita të qarta dhe të prera lufte të ashpër kundra Gjermanisë Hitleriane.” (1) Më poshtë po në të njëjtin artikull shkruhej se Balli Kombëtar “të hyjë në luftë me armë, në luftë të hapët, të ashpër dhe pa kondita kundër okupatorit hitlerian. Por Balli është larg kësaj pozite. Ne e kemi thënë me kohë që Balli është në pozita kompromisi dhe po shkon në pozita gjithnjë më të këqija.” (2)
Një muaj më vonë Zëri i Popullit ishte më i drejtpërdrejtë në akuzën e kompromisit mes ballistëve dhe trupave gjermane. “Ska dyshim, Balli Kombëtar asht në kompromis me okupatorin gjerman. Jo vetëm asnji pushkë kundra tij, por dhe asnjë fjalë.” (3) Ndërsa në buletinin e gazetës Bashkimi në një komunikatë të luftës nacionalçlirimtare të po asaj periudhe jepej shembull konkret nga Berati, ku “Organizata e Ballit Kombëtar, çerdhja e klikës më reaksionare që ka parë vendi ynë, është munduar gjithnjë nën maskën e nacionalizmit, e me tertip më të përsosur nga ai i Mustafa Krujës, të realizojë përçarjen e popullit shqiptar. Mbasi nuk ia
(1) Zëri i Popullit, shtator 1943, faqe 1. (2) po aty (3) Zëri i Popullit, tetor 1943, faqe 8.
doli në krye qëllimit tradhëtar të tij, Balli Kombëtar, filloi kohët e fundit një veprimtari më të gjerë dhe fare të hapët bashkëpunimi me okupatorin gjerman kundër Frontit Nacionalçlirimtar.” (4)
Një akuzë tjetër që komunistët bënin për ballistët në faqet e Zërit të Popullit ishte etiketimi i tyre si përçarës të bashkimit kombëtar dhe sabotues të luftës nacionalçlirimtare. “Balli kombëtar kërkon të turbullojë ujët, të dali si qingj dhe të na qisi ne si ujk. Flet për bashkim kurse nuk ka ba veçse përçamje. Ka shpifë sistematikisht kundra Partisë sonë (akoma dhe sot, me helmin që e dallon, Frontin Nacional Çlirimtar nuk e njeh pse nuk ia ka qejfi dhe e quan parti maskë të Partisë sonë - le të flasin nacionalistat le të flasë populli që asht në këtë front – vazhdon ta bëjë nacionalizmin monopol tue e quajtë veten nacionalizmi shqiptar). Ka sabotue me të gjitha forcat e tija luftën nacionalçlirimtare me disfatizëm, me kompromis e me dallavere.” (5)
Por propaganda e ballistëve kishte arsyetime krejt të ndryshme sa i takon rolit që luanin në jetën e vendit komunistët. Në numrin e parë të gazetës Mbrojtja Kombëtare, që doli në Ditën e Flamurit të vitit 1943, kryeartikulli me titull “Rroftë Shqipëria” jepte përballjen e dy rrugëve të së ardhmes së shqiptarëve në një zgjidhje “jetë a vdekje”. “Populli shqiptar, nga fushat e Kosovës martire deri te krepat e fundit të Jugut, sot, i mbledhur si një trup rreth Shqipes dy krenore vendos solemnisht që: ose do të rrojë i lirë me flamurin e trashëguar prej trimërisë së falangave të Kastriotit; me zakonet e doket e veta, ndër besë, krenari e racës s’onë mijëvjeçare; ose do të shuhet i tërë! Vetëm një ideologji për nderin tonë kombëtar, shkatërrimtare e vatrës sonë familjare, komunizma, duhet zhdukur patjetër, sepse ky është vullneti i prerë i popullit.”(6)
Ndërkohë në një fletë të posaçme të Zërit të Popullit replikohej me kryeartikullin e numrit të parë të Flamurit, që i konsideronte
(4) Bashkimi dhe buletinet e tij, (1943 – 1944), volumi II, faqe 359. (5) Zëri i Popullit, tetor 1943, faqe 8. (6) Mbrojtja Kombëtare, datë 28 nëntor 1943, faqe 1
akuzat ndaj Frontit Nacionalçlirimtar si një fushatë të re nga tradhëtarët. “Të na përgjigjet Flamuri për këto: 1) Pse nuk lufton Balli Kombëtar kundër gjermanëve; 2) pse mori pjesë në qeveri; 3) pse organizatat e tij, veçanërisht ato të rinisë, kryejnë detyrat e spiunazhit dhe të policisë gjermane; 4) pse kërcënon popullin (aty ku mundet) që të lidhet me të; 5) pse vjedh popullin tue i marrë para me zor, gjoja si ndihma, ose tue plaçkit drejtëpërdrejt; 6) pse djeg fshatra dhe bërtet se u dogjëm; dhe sidomos të përgjigjet Flamuri: 7) pse Balli lufton krah për krah me gjermanët kundër partizanëve; 8) pse Balli asht vue në dispozicion të plotë të gjermanëve dhe përpiqet me organizue me mish e me shpirt luftën kundër nesh, tue u ba apele të vazhdueshme gjermanëve për operacione dhe tue e ngrejtë popullin me zor.” (7)
Duke analizuar angazhimin e komunistëve Mbrojtja Kombëtare në një artikull tjetër e cilësonte Frontin Nacionalçlirimtar, si një fasadë të komunistëve. “Partia Komuniste e filloi luftën nën maskën e nacionalizmit shqiptar dhe gjithë djalëria patriote dhe idealiste, ajka e vërtetë e Shqipërisë u bashkua me ta për të luftuar okupatorin.” (8) Në një pasazh tjetër vijohej se: “Partia Komuniste
(7) Fletë e posaçme e Zërit të popullit, 20 maj 1944. (8) Mbrojtja Kombëtare, datë 28 nëntor 1943, faqe 4.
e vetëquajtura shqiptare filloi një luftë klase, një luftë ideologjie prandaj antikombëtare në këtë rast, pse e lidhur dhe e urdhëruar prej partisë komuniste sllave, e cila është nën dipendencën e së tretës internacionale.” (9)
Një nga temat që trajtohej me papajtueshmëri të thellë mes grupimeve kundërshtare ishte dhe ajo e Kosovës. Në një kryeartikull të Flamurit, organit qendror të Ballit Kombëtar, titulluar “Nga Pariani tek Dushani”(10) hidheshin akuza për bashkëpunimin mes komunistëve shqiptarë me ata jugosllavë, që ishte një rrezik për Kosovën. “Mareshalli Tito ngarkoi me folë para disa ditësh ministrin e tij të jashtëm: ‘Në Ballkan do të krijohet një Federatë e madhe sllave e përbërë nga Jugosllavia dhe Bullgaria. Në këtë do të thirret me marrë pjesë dhe Shqipëria me të drejta të barabarta’. Ministri i jashtëm foli më mirë se Dushani.”(11) Dhe më tej: “Të kuqtë shqiptarë, serbë, maqedonë, italianë po përpiqen me formue një qeveri sovjetike shqiptare me punëtorë e luftëtarë të provuar në fushën antishqiptare. Ata që na përbuznin kur thonim e ngulnim këmbë se Kosova është e jona; ata që na vritnin pse në flamurin e luftës ne kishim shkruar me gjak ‘Shqipnia e shqiptarëve’; ata që çdo vëlla jo komunist e kqyrnin si armik të rrezikshëm; ata që kanë kaq dashuri ndër zemra sa të rrokin gjithë vëllezërit sllavë, kanë kaq vend ndër zemra sa Kosova, sa Shqipëria është për ta ‘një pikë e parëndësishme në kuadrin ndërkombëtar, që këtë herë përfshin vetëm jugosllavë, bullgarë, shqiptarë.”(12) Në
(9) po aty (10) Gjeneral Alberto Pariani (1876 – 1955) shërbeu në ushtrinë italiane në dy Luftrat
Botërore, dhe në periudhën midis tyre, në vitet 1927-1933 shërbeu si shef i misionit ushtarak italian në Tiranë. Kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë ai ishte një gjeneral në pension, por në vitin 1943, si një njohës i thellë i Ballkanit dhe i Shqipërisë, Pariani u thirr në detyrën e Mëkëmbësit të Përgjithshëm të
Mbretit Viktor Emanueli lll, duke zëvendësuar Françesko Jakomonin. Dushan
Mugosha, i dërguar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë që së bashku me Miladin
Popoviçin erdhën në Shqipëri në fillim të viteve ’40 të shekullit të kaluar për të ndihmuar në krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare (8 nëntor 1941). Një figurë për të cilin historiografia shqiptare gjatë sistemit komunist ka mbajtur një qëndrim kondravers me retushime të shumta të veprimtarisë dhe ndikimit të tij në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. (11) Flamuri, nr. 1, datë 7 maj 1944, faqe 1. (12) po aty
këtë logjikë shkruhej dhe në një numër të mëvonshëm të Flamurit: “Partizanët jugosllavë e ndjejnë veten kaq shumë të lidhur për Kosovën sa lëshojnë mijëra vetë me pushtue toka thjesht shqiptare. Partizanët shqiptarë e shikojnë Kosovën kaq të huaj sa lusin perëndinë e tyre, Titon e adhuruar, të lëshojë disa divizione e të mbysë vullnetarët e rinj që shkojnë me vulos me gjak bashkimin e Kosovës me Shqipni!” (13)
Të gjendur përballë këtyre akuzave në lidhje me çështjen e Kosovës komunistët botonin artikuj përgënjeshtrues duke ja kaluar përgjegjësinë dhe fajin Ballit që “na akuzon për Kosovën. Neve s’e dashkemi Kosovën. Përrallë e vjetër. Kosova çlirohet me luftë kundër okupatorit gjerman, me luftë kundër tradhëtarëve dhe shovinistëve të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, me bashkëpunim në luftë me lëvizjen nacionalçlirimtare të Shqipërisë e të Jugosllavisë dhe të gjithë aleatëve tonë të mëdhenj e të vegjël të koalicionit të madh antifashist. Kosova nuk çlirohet tue shti kosovarët në luftë kundër fqinjëve të tyre serbo malazezë dhe tue drejtue falenderime
(13) Flamuri, nr. 4, datë 25 qershor 1944, faqe 4.
Hitlerit, siç bën Rexhep Mitrovica me shokë. Pse Balli Kombëtar kur e do kaq shumë Kosovën nuk ngrihet kundër parodisë së Lidhjes së Prizrenit që u ba tashti dhe kundër anëtarit të tij Rexhep Mitrovicës? Neve po luftojmë dhe do të luftojmë me fakte për lirinë e Kosovës. Por Balli Kombëtar ç’po bën veç grindjeve që po hedh dhe veç vëllavrasjes ku po e fut popullin e Kosovës me fqinjët e tij? Kështu çlirohet Kosova?” (14)
Për Ballin Kombëtar vijimi i luftës kundër pushtuesve gjermanë nga njësitet partizane vlerësohej si justifikim i komunistëve për përfshirjen e tyre në një luftë vëllavrasëse, mes vetë shqiptarëve. Duke dhënë shembuj nga vrasjet dhe atentatet kundra nacionalistëve shqiptarë në një shkrim të Flamurit konkludohet se objektiv sulmi dhe goditje me armë e atentate nuk janë gjermanët por shqiptarët. “Nga gojët e traktet e kuqe ushton parulla: ‘Luftë okupatorit’. Luftë okupatorit shkruhet e flitet, por luftë i bëhet vetëm shqiptarit, pse misioni kryesor i kësaj lufte është me çlirue Shqipërinë nga… shqiptarët. Këtë nuk e themi ne, e provojnë vetë komunistët: dihet se gjermanët nëpër Shqipni udhëtojnë lirisht dhe atentatet dhe ‘aksionet’ bëhen vetëm kundra nacionalistëve.” (15) I njëjti gjykim i kohës së pushtimit gjerman, mbeti dhe pas çlirimit të Shqipërisë për ballistët kur ata përshkruanin atë që kish ndodhur: “Lufta që u nis kundër të huajit dhe që u zhvillua me aq lavdi u kthye në vjeshtën e 1943-së në luftë civile. Dhe qe e rreptë, e përgjaktë, fytafyt. Komunistët që s’njohin besë a virtyt goditnin qenërisht me një egërsi të pashembullt. Por dhe djelmoshat që mbronin traditën e shqipes nuk ishin të dobët. Të patundur si shkëmb, binin ballë hapët, ndënë thikën e tmerrit si ata kallinjtë e artë që i pret kosa.” (16)
“Artileria” mediatike e komunistëve sulmonte po me të njëjtat argumente. “Balli Kombëtar, çerdhja e antipopullorëve, e nisi me reaksion, me përçarje, me parulla hipokrite e djallëzore, e nisi me disfatizmë e me helm dhe e mbaroi, qenërisht, me vëllavrasje.
(14) Zëri i Popullit, tetor 1943, faqe 9 - 10. (15) Flamuri, nr. 2, datë 21 maj 1944, faqe 1. (16) Flamuri, botuar në Romë, nr. 15 – 16, viti 1951, faqe 5.
Sot kudo në Shqipëri pushkët naziste, në duart e bashibozukëve të Ballit, vetëm një drejtim kanë: ‘të shtien mbi ne, të shtien mbi djemtë e popullit si me hasmë.” (17)
Pjesë e debatit të hapur mes komunistëve dhe ballistëve ishte dhe i ashtuquajturi Kongresi Antifashist Nacionalçlirimtar, që u mbajt në qytetin e Përmetit më 24 maj 1944. Ky forum politik kishte synim të diskutonte dhe të vendoste jo vetëm mbi vijimin e luftës për çlirimin e të gjithë vendit, por dhe për të hedhur e forcuar themelet e pushtetit të Frontit Nacionalçlirimtar, që mbështetej nga Partia Komuniste Shqiptare. Një numër special i gazetës Bashkimi, në muajin korrik i ishte kushtuar tërësisht jehonës dhe vendimeve të Kongresit të Përmetit. Artikullin kryesor e kishte Enver Hoxha, (18) i cili ishte zgjedhur në Kongres si kryetari i Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar, të cilin komunistët e konsideronin si një qeveri të tyre provizore. Hoxha e përshkruante Kongresin si “kurorëzimi i luftës sonë të madhe dhe shprehja e vullnetit dhe e dëshirave të një populli të tërë që lufton, është realizimi i dëshirave të mijëra djemve të popullit që sakrifikuan jetën e tyre, që populli shqiptar të mbërrijë në këtë ditë, të marri forcat e lëvizjes në dorë dhe të vetëqeveriset.”(19) Por lideri komunist nuk harronte të glorifikonte dhe rolin “e madh dhe të pavdekshëm të Partisë Komuniste Shqiptare. Këtij hovi të madh kryengritës, këtij vullneti të çelniktë të popullit tonë s’ia dolën dot përpara dhe
(17) Zëri i Popullit dhe buletinet e tij (1942 – 1944), volumi III, faqe 315. (18) Në atë numër special të Bashkimit për herë të parë Enver Hoxha u shfaq me emrin e tij si autor poshtë artikullit hapës të gazetës. Në thelb artikulli ishte diskutimi që Hoxha mbajti gjatë punimeve të Kongresit të Përmetit. Nga vera e vitit 1942 ai ishte në grupin e komunistëve të kryeqytetit që do kujdesej dhe do mbikqyrte përgatitjen, botimin e shpërndarjen e Zërit të Popullit, si organi kryesor i PKSH-së. Enver Hoxha u angazhua dhe me shkrimin e artikujve, komenteve e shënimeve nën pseudonime për shkak të veprimtarisë së tij ilegale. Por kjo u shfrytëzua pas çlirimit të vendit, për të amplifikuar në maksimum rolin e tij, duke e përshkruar si një “themelues” e “strateg” i shtypit antifashist nacionalçlirimtar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Të tjera firma që u shfaqën në numrin special të Bashkimit ishin po eksponentë të rëndësishëm të Këshillit Antifashist
Nacionalçlirimtar dhe PKSH-së, njëkohësisht dhe bashkëpunëtorë të shtypit antifashist si Lame Kodra (Sejfulla Malëshova), Dr. Ymer Dishnica, Nako Spiru etj. (19) Bashkimi, numër special, korrik 1944.
ta thyenin as italianët, as gjermanët e as tradhëtarët.”(20)
Gjithashtu në qendër ishte dhe vizioni e angazhimet e Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar të sapo krijuar, raportet e tij me Aleatët, “që priteshin të forcohen edhe më shumë në të ardhmen”, qëndrimi i ashpër ndaj atyre që kishin bashkëpunuar dhe bashkëpunonin me pushtuesit etj. Për këta të fundit nënvizohej se: “Intrigat dhe dallaveret po vdesin e do të vdesin bashkë me fashizmin dhe me tradhëtarët”,(21) por dhe duke u bërë sërish thirrje “gjithë atyre elementëve të gabuar, por të ndershëm të dezertojnë sa më parë nga rradhët e organizatave tradhëtare dhe të këpusin zinxhirët me të cilat i kanë lidhur tradhëtarët, të bashkohen me ushtrinë dhe me frontin nacionalçlirimtar.”(22) Për kudërshtarët politikë dhe ideologjikë të komunistëve kishte dhe një artikull pa autor me titullin: “Dallaveraxhinjtë e vjetër dhe armiqtë e popullit po lidhin miqësira të reja”, ku shkruhej mes të tjerave: “Këta njerëz te Gjermania hitleriane gjejnë aleatin më të mirë dhe rreth saj u grumbulluan dhe vunë në shërbim të Gestapos çdo gjë për t’i dalë mbanë punës së tyre antipopullore. Këta njerëz të grumbulluar në ‘Ballin Kombëtar’, në ‘Partinë Socialdemokrate’, në ‘Roja e Drejtësisë’, në ‘Partinë Komuniste të Vërtetë’, në ‘Legalitetin’ etj., organizata tradhëtare, janë betuar të luftojnë çdo frymë dhe lëvizje përparimtare.” (23)
Ndërkohë Flamuri i ballistëve i kundërpërgjigjej Buletinit të jashtëzakonshëm të Luftës Nacionalçlirimtare me nota ironike, nën okelion “Për të qarë dhe për të qeshur”, me një artikull që titullohej “Qeveria demokrate popullore shëmbullore e Përmetit”. Duke kaluar në disa prej vendimeve më kryesore të Kongresit të Përmetit, Flamuri, ironizonte dhe shigjetonte, sipas saj, karakterin jorealist të tyre për gjendjen ku ishte vendi. Në këtë kontekst: “Populli shqiptar i priti vendimet e Kongresit të Përmetit me kaq
(20) po aty (21) po aty (22) po aty (23) po aty
indiferencë e tallje, sa i presin dhe të rriturit lodrat e të vegjëlve.”(24) Më poshtë vijohej me nota shpotitëse ku shkruhej se: “Qeveria e popullit duhet të ketë aprovimin e të gjithëve, sepse përfaqëson të gjithë dhe ka dalë nga gjiri i të gjithëve! Po me gjithëkëtë, ai që do të marrë guximin të bëjë qoftë dhe me mirëdashje kritikën më të vogël, do të konsiderohet sabotues, kollonë e pestë, reaksionar, kolltukaxhi etj., etj. Prandaj keni mendjen. Të kenë mendjen edhe aleatët, se ndryshe do t’i marrë lumi dhe do të konsiderohen sabotues e reaksionarë.”(25)
Por përballja propagandistike në kohën e pushtimit gjerman nuk zhvillohej vetëm mes komunistëve dhe ballistëve. Në fluksin e polemikave ishte dhe Partia Lëvizja e Legalitetit, pavarësisht se numri i mbështetësve të saj dhe ndikimi tek popullata nuk ishin në nivelet e Partisë Komuniste dhe Ballit Kombëtar. Një pjesë të kritikave dhe akuzave në hapësirat mediatike të Ballit i adresoheshin Legalitetit. Sipas Mbrojtjes Kombëtare, përveç njësive të Frontit Nacionalçlirimtar, që vrasin e djegin shqiptarët dhe sidomos nacionalistët, ka edhe disa të tjerë “që flenë një gjumë të rëndë e s’kujtohen të na ndihmojnë në këtë luftë për mbrojtjen e Flamurit dhe të nderit familjar, që vijnë të na poshtrojnë ato që i kemi të përbashkta. E kam fjalën këtu për partinë legale zogiste, e cila rri përsëlargu e shikon këtë skenë tragjike si spektatore në një teatër: Shpeshherë ata – është nevojë imperative, kur për ne është në lojë fati i Shqipërisë sa që s’dimë nëse do të jetë apo jo, ajo Shqipëri me kufi të 1913, juve bisedoni çështjen e fronit. Kur s’kemi shtëpi, ç’na duhen mobilat.” (26) Në këtë mënyrë karakterizoheshin nga ballistët mbështetësit e rikthimit të monarkisë shqiptare, duke e gjykuar me pasoja serioze sjelljen e tyre indiferente në rrjedhën e problemeve serioze që kalonte vendi. “Gazeta e Partisë së Legalitetit Atdheu thotë se bëjmë luftë kombëtare. Po ku e kini? S’po na e tregoni aspak këtë gjë pse juve s’jeni as miq me ne si duhet dhe as armiq me gjithë kuptimin e fjalës me komunistat.
(24) Flamuri, datë 10 gusht 1944, faqe 4. (25) po aty (26) Mbrojtja Kombëtare, nr. 4 1944, faqe 1.
Indiferentizma në përgjithësi dënohet, kush rri me duar lidhur e këmbëkryq, sot në këtë ditë, bën një krim kundrejt atdheut e janë përgjegjës nesër përpara kombit e historisë.” (27)
Atdheu këmbëngulte në nevojën që kishte Shqipëria për regjimin mbretëror, si një mënyrë për t’u rikthyer tek shteti, rendi dhe mbrojtja e çështjes kombëtare. “Gjithë shqiptarët e dinë mirë se Mbreti Zog është reformatuer, me idena politike e shoqnore përparimtare e të gjana. Çdo ndryshim qi është ba në Shqipëri me qëllim përmirësimi e modernizimi, ka qenë shtye ose krye prej tij.”
(28) Qëndrimin e tyre të distancuar nga subjektet e tjera politike, Legalistët e justifikonin me luftën e egër politike që zhvillohej në Shqipëri. “Le të kenë, pra, mendjen dhe ndërgjegjen krerët e partive tona politike, mos me e çue më thellë luftën e grindjeve sa me qitë në harresë interesat e kombit në kët çast. Në qoftë se duem t’i kursejmë këtij populli të mjerë ditë edhe më të zeza në jetën e tij, të pushojmë këto grindje partizanije. Për ndryshe asht rrezik me i ba atdheut me durët tona bash nj’at kobë që kemi dashtë mos t’i a bajnë anmiku.” (29)
Luftë mediatike kishte dhe mes komunistëve dhe legalistëve. Vetëm pak ditë pasi kishte dalë në qarkullim numri i parë i
(27) po aty (28) Atdheu, datë 31 janar 1944, faqe 4.
gazetës Atdheu (12 tetor 1943), komunistët e pritën me kritika dhe mosbesim organin kryesor të Legalitetit. Duke e quajtur një regjim “prapanik” dhe “antipopullor” kohën nën sundimin e Mbretit Zog, Buletini i Zërit të Popullit për Durrësin e konsideronte të vonuar daljen e Atdheut, duke e shoqëruar me një sërë cilësimesh negativiste. “Këta kalemxhinj të lekut dhe të dallaveres e paraqitën regjimin e vjetër të Zogut si të vetmin legal. Harrojnë duket se çdo lidhje e këtij me popullin shqiptar është këputur në mënyrë definitive qysh se ai, me klikën e tij, ua mbathën këmbëve dhe e lanë këtë vend në mjerimin më të plotë.” (30) Në vijim të analizës për rolin e legalistëve ata njehsoheshin me përfaqësuesit e Ballit si përçarës të luftës kundër pushtuesit. “Parti si ajo që përfaqëson Atdheu janë artificiale dhe nuk i shërbejnë aspak vendit, përkundrazi janë të dëmshme për shkak se të formuara jashtë Luftës Nacionalçlirimtare dhe të kryesuara nga njerëz si Fiqri Dineja me shokë, bien shpejt në kompromis dhe bëhen vegla të nazistëve, sikurse dje u bënë të fashistëve.” (31) Në të njëjtën linjë ishte dhe Buletini i Këshillit Nacionaçlirimtar për Tiranën duke tërhequr vëmendjen se Atdheu nuk përmendte fare pushtimin e vendit nga nazistët gjermanë. “Fletushka, shtypë dhe përhapë në tolerancën mirëdashëse të Gestapos, me disa artikuj të pakrypë e me disa klishena të vjetra, ashtu si mentaliteti i tyre, mundohet me ia mbushë mendjen popullit se vetëm Zogu mundka me e shpëtue Shqipërinë nga kaosi në të cilën u gjendka vendi ynë. Atdheu nuk begenis me shkrue asnjë rresht për okupatorin, për luftën nacionaçlirimtare të popullit shqiptar, për tradhëtarët dhe dallaveraxhinjtë, që me anë komitetesh e asamblenash përpiqen me e çue kombin tonë në greminë.” (32)
Si përgjigje për këto kritika Atdheu duket se kishte zgjedhur mënyrën e ribotimit të programit të Partisë Lëvizja e Legalitetit, një program që u konfirmua zyrtarisht në punimet e Kongresit të
(29) Atdheu, datë 31 janar 1944, faqe 2. (30) Zëri i Popullit dhe buletinet e tij (1942 – 1944), volumi II, faqe 278. (31) po aty
parë më 21 nëntor 1943, e që mund të përmblidhej në: luftë kundër okupacionit të huaj, formim të një shteti shqiptar me të drejtat e tij etnike, rikthim në Shqipërinë e regjimit legal, reforma sociale dhe ekonomike për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Në mënyrë të drejtpërdrejtë Atdheu iu përgjigj kritikave që i bëheshin njërit prej udhëheqësve kryesorë të Legalitetit, major Abaz Kupit. Pas një shkrimi portret të Buletinit të Luftës Nacionalçlirimtare mbi aktivitetin e Kupit, në fillim të dhjetorit 1943, Atdheu shkruante: “Efekti i këtij shkrimi ka qënë i kundërt nga ai që prisnin autorët. Populli lëçiti me përbuzje frazat fyese dhe plot rrena. Kuptoj menjëherë që shkaku që i shtyni ata të Nacionalçlirimtares me zbrit kaq poshtë ka qënë se Majori trim nuk u bind me pranue politikën e kësaj organizate, e cila, me maskën “nacionale” fsheh propagandë tjetër. Kjo propagandë e përmbledhur në një parti me veprimet e saj të pamenduara si lypset, shpuri vendin në gjendjen e sotme.”(33)
Duke ngritur lart figurën e kryetarit të Partisë Lëvizja e Legalitetit, sidomos dhe përgjigjen që dha Kupi që më 7 prill të vitit 1939 ndaj pushtimit fashist italian, por dhe rolin e tij pas Konferencës së Pezës dhe pjesëmarrjen në Frontin Nacionalçlirimtar në kundërpërgjigjen e Atdheut përmendeshin prapaskena dhe hile të komunistëve që kërkonin me “përfitue pa masë nga marrja pjesë e Abaz Kupit në Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar.”(34) Sipas këtij artikulli ende komunistët ishin duke përfituar ndihma financiare nga fakti që ai kishte qenë anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar.
Më 1 janar 1944 u shfaq në tregun e gazetave një organ i ri, i quajtur Zëri i Lirisë, prezantuar si organi i Partisë Socialdemokrate, që kishte si qëllim kryesor sigurimin e “drejtësisë shoqërore dhe lirisë politike.”(35) Nga përmbajtja gazeta dukej si botimi i një fraksioni nga rradhët e Ballit Kombëtar, të paktën kjo përshtypje krijohet nga mënyra e adresimit të objektivave politike
(32) Bashkimi dhe buletinet e tij, (1943 – 1944), volumi II, faqe 323. (33) Atdheu, datë 15 janar 1944, faqe 1. (34) po aty
dhe mënyrës së shprehjes së tyre për lexuesit. Zëri i Lirisë nuk kishte asnjë informacion ose lajm të shkurtër nga aktualiteti, por në trajtën e një buletini politik gazeta ia kushtonte pjesën më të madhe programit të socialdemokratëve, gjithashtu duke botuar dhe artikuj historikë, si dhe ribotuar vargje homazh për njërin prej protagonistëve të Ballit Kombëtar, Hysni Lepenica. Përputhja programore me Ballin konfirmohet dhe nga kryeartikulli, ku evokohet situata tejet e vështirë dhe kaotike me të cilën përballej Shqipëria në prag të vitit 1944, sidomos në zonat jugore. “Në mes të këtyre luftrave, vrasjeve, shkatërrimeve, djegjeve, gatuar me shpirtin e shqiptarit, dalë nga gjiri i shqiptarit mbrujtur me atdhetarizëm, lindi partia socialdemokrate. E për luftë dhe ajo në ndihmë të atdheut, e mirëdashëse ajo, në bashkimin e energjive të kombit, e arsyeshme ajo, për një të nesërme të lumtur të Shqipërisë së unisuar brenda kufijve të saj etnikë dhe për një demokraci, gjeti vendin e saj bashkë me rrymat e tjera politike, në Ballin Kombëtar.”(36)
Përplasja propagandistike mes grupimeve politike shqiptare vijoi në të gjithë fazën e pushtimit të vendit nga nazistët gjermanë, në sinkron me mosmarrëveshjet ekstreme ideologjike, perceptimin që ato grupe kishin për aktualitetin dhe të nesërmen e Shqipërisë, në një sfond ku të rreshtuar në struktura luftarake kishin ngritur dhe armët ndaj njëri-tjetrit, me viktima dhe heronj, në të dy rastet nga rradhët e shqiptarëve. Një histori “pluralizmi” me synimin e marrjes së pushtetit dhe përzierë me doza të forta urrejtjeje e armiqësie, me plagë që s’u shëruan as kur ushtari i fundit i huaj u largua nga territori i vendit. Një ndeshje ideologjike që në mënyrë të pabarabartë, me forma e metoda të ndryshme, hapur ose ilegalisht, vijoi edhe kur sipari i Luftës së Dytë Botërore kishte rënë.
(35) Zëri i Lirisë, datë 1 janar 1944, faqe 1. (36) po aty