![](https://assets.isu.pub/document-structure/200515121652-fa7f205617fe38ddffec93635a57699c/v1/9f4d208fe859714d11ca74fbc8af9e29.jpg?width=720&quality=85%2C50)
9 minute read
Tre Hierarkët e Kishës (Dr.Georgios Gaitanos
TRE HIERARKËT E KISHËS
Çdo vit, këtë ditë të bekuar, njerëzit e letrave dhe veçanërisht profesorët dhe studentët, nderojnë këta tre shenjtorë të mëdhenj, shën Vasilin e Madh, shën Grigor Theologun dhe shën Joan Gojartin, duke u njohur kontributin e vlefshëm dhe duke i promovuar ata si shembuj të përjetshëm për mësuesit dhe dishepujt. Njerëz të mençur, njerëz të kujdesshëm dhe shkencëtarë nderon Kisha jonë sot: Vasilin e Madh, “mendjen e lavdishme”, Grigor Theologun, “zërin hyjnor” dhe Joan Gojartin, “dritën universale”. Ata ishin, që të tre, prani të gjalla dhe udhëheqëse në rrafshin shpirtëror të Orthodhoksisë Ekumenike; figura me formim të rrallë shkencor dhe me shembull personal jete.
Advertisement
Kushdo që përpiqet të flasë për tre Hierarkët ka të vështirë, jo çfarë të thotë, por çfarë të mos përmendë nga një jetë kaq shembullore, një aktivitet kaq i zhdërvjellët dhe një veprimtari shkrimore kaq e pasur, dhe jo nga një, por nga tre personalitete. Ata jetuan gjatë shekullit IV në një kohë trazirash dhe pasigurie. Krishterimit, që sapo kishte kaluar persekutime dhe vuajtje, tani i duhej të merrej me sektet e ndryshme. Jeta dhe puna e tyre ishin vërtet të shkëlqyera. Ata patën bekimin të shkollohen mirë në një kohë kur shkollimi ishte një fenomen i rrallë. Në ligjërim, kishin
fuqi të rrallë. Ishin shembuj të gjallë të vetëmohimit, bamirësisë dhe devotshmërisë. Ata i shërbyen Perëndisë, sepse fuqishëm mbështetën tërësinë e besimit të krishterë, dhe njerëzve, sepse i ofruan të gjitha dhurëtitë e tyre materiale, fizike dhe shpirtërore.
Këta tre shenjtorë kremtohen veçmas në janar: Vasili, ditën e Vitit të Ri, Grigori në datën 25 dhe Gojarti në datën 27. Kremtimi i tyre së bashku, më 30 janar, u vendos në vitet e perandorit Kostandin Monomaku (1042-1055) në shekullin XI. Kjo u bë për të pajtuar të krishterët e Kostandinopojës të cilët ishin ndarë në tri grupe: vasilitët, grigorianët dhe joanitët që debatonin se cili nga këta tre Etër ishte më i rëndësishmi.
E vërteta është se, është shumë e vështirë t’i krahasosh këta tre Etër të Mëdhenj.
Secili prej tyre ishte mësues i mençur, punonjës i palodhur social, mbrojtës i Orthodhoksisë në një kohë kur mbizotërone herezia. Fjalët e tyre ishin zjarr dhe idetë e tyre shkuan përtej kohës së tyre. Ata me pasion i deshën letrat dhe luftuan për të vërtetën dhe drejtësinë.
“Për cilin shkollim dhe mësim nuk u kujdes”, – thotë për shën Vasilin, miku dhe bashkëstudenti i tij, Grigori. Ai fillimisht studioi retorikë dhe u bë orator si pak njerëz, pasi retorika e tij kishte fuqi zjarri. Ai studioi gramatikë dhe filozofi – dialektikë.
Ishte aq i përparuar në dialektikë saqë, ata që bisedonin me të, mrekulloheshin nga argumentet e fuqishme dhe arsyetimi i tij. Ai nuk la pa studiuar as astronominë dhe gjeometrinë. Nuk mbeti pas as në mjekësi. Në fakt, njohuritë e tij mjekësore e ndihmuan më vonë të organizojë dhe mbikëqyrë kompleksin “Vasiliadha”, të cilin e ndërtoi për të lehtësuar vuajtjet e njerëzve.
Grigori u dallua për dashurinë për letrat që nga fëmijëria e tij. Ai studioi në qytetet e rëndësishme të asaj kohe: në Qesarinë e Kapadokisë, në Qesarinë e Palestinës, në Aleksandri dhe Athinë.
Në Athinë, suksesi i tij në retorikë dhe filologji ishte aq i jashtzakonshëm saqë shoqatat studentore, sipas të drejtës së tyre, e caktuan profesor ndërsa ishte ende student dhe nuk e lejonin të largohej me Vasilin. Kur mbaroi studimet, dha mësim në Athinë vetëm për një vit. Malli i madh e shtyu të largohej dhe kështu u kthye në shtëpi.
Fjala
Dhe Hierarku i tretë, Joan Gojarti, doli i pari në të gjitha studimet e tij, duke zbuluar kështu talentet e tij të rralla. Ai studionte me shumë kujdes. Në shkollën e rëndësishme të oratorëve dhe filozofëve në Antioki admirohej nga mësues dhe studentë. Mësuesi i tij, Livani e quante atë thesar të rrallë. “Mjeshtër, kush do të jetë pasardhësi yt në këtë shkollë?” – e pyetën njëherë atë. “Joani do të ishte,” – tha ai, duke psherëtirë, - “nëse nuk do të na e kishin rrëmbyer të krishterët”.
Pas studimeve, ata filluan të vepronin si oratorë. Dëgjuesit mbeteshin të mrekulluar. Lavdi dhe famë i priste. Megjithatë, ne i takojmë ata në shkretëtirë. Dashuria për Perëndinë e tyre i tërheq më shumë se lavdia dhe nderi i kësaj bote. Ata duan t’i shërbejnë Kishës së Krishtit. Por, para se të fillojnë aktivitetin e tyre, ata ushtrohen në shkretëtirë që të çlirohen nga pasionet njerëzore dhe të luftojnë për virtyt.
Shën Vasili arriti në një nivel të tillë pastërtie, saqë iu tha se mund të vdiste kur të dëshironte. “Zelli është mirë,” - shkruan Grigori, - “Paqja është mirë, përulësia dhe virtytet e tjera. Secili prej këtyre virtyteve është veç një shteg drejt shpëtimit, por rruga është dashuria. Le ta adhu-rojmë Krishtin, jo vetëm duke u lutur, por edhe duke u shërbyer atyre që janë në nevojë.”
Vasili, Grigori dhe Gojarti dorëzohen priftërinj. Ata bëhen pjesë e klerit të shenjtë në një kohë shumë të vështirë për Kishën. Heretikët, shtrembëruesit e Besimit Orthodhoks, kanë mbështetjen e perandorit.
Vasili në Qesari shkakton debat me heretikët dhe i tëhuan ata. Por, besimtarëve orthodhoksë, ai u jep fuqi dhe guxim.
Grigori ndihmon me bamirësi dhe mësimdhënie babanë e vet të moshuar në episkopatën e Nazianzit. Nga të gjitha, mësimdhënia i përshtatet më shumë. Në një fjalim për arianistët që kishin marrë kishat orthodhokse, ai tha: “Ju keni shtëpinë ndërsa ne kemi atë që jeton në shtëpi. Ju keni tempujt, ne kemi Perëndinë.”
Në dymbëdhjetë vitet që Joani ishte prift në Antioki, shumë paganë u bënë të krishterë. U deshën shumë predikime nga Joani që të njihej besimi dhe të përjetohej jeta e vërtetë e krishterë. Zelli për të sapondriçuarit i buronte nga përkushtimi dhe dashuria për ta. “Që tani e tutje, ti do të quhesh i krishterë dhe besnik me hirin e Perëndisë. Do të vishesh me Krishtin dhe gjithçka duhet ta bësh duke kujtuar gjithmonë që ai do të jetë me ty kudo”.
Përveç që ofronin të vërtetën, të tre Etërit u shërbenin njerëzve edhe në nevojat e përditshme të tyre.
Vasili kishte vendosur si qëllim që asnjë i varfër, fëmijë i sëmurë, jetim apo udhëtar të mos qëndronte në Qesari pa kujdes, mjekim, dashuri, lehtësim. Pasurinë e vet ua shpërndau të varfërve. Shumë nga të pasurit e Qesarisë, madje edhe të varfërit me kursimet e tyre, ofruan për të ngritur një kompleks të madh ndërtesash bamirësie. Atij qyteti origjinal nuk i mungonte asnjë institucion: Vasiliadha; shtëpia e bamirësisë ku të varfërit kishin ushqimin dhe mjedisin e shëndetshëm, kompleksi spitalor për shërimin e të sëmurëve nga mjekë me përvojë dhe të arsimuar mirë, jetimorja për rritjen e jetimëve. Shumë pranë, shtëpia e pritjes që me dashamirësi priste të huajt, të cilët atje gjenin kujdesin dhe gjumin e rehatshëm për të pushuar dhe për të vazhduar, më pas, udhëtimin e tyre. Më vete, ishte lebrosariumi (spitali për lebrozët) ku mjekoheshin njerëzit me lebër. Në një tjetër ndërtesë, jetimëve dhe fëmijëve të varfër u mësonin shkrim e këndim dhe mësime të veçanta për të mësuar arte dhe profesione. Në fund, kishte edhe ndërtesa veçmas për mamitë e të tjera. Për t’u siguruar qumështin pacientëve, hierarku frymëzues këmbënguli të ndërtoheshin madje edhe stalla për lopët.
Dhe Joan Gojarti ndërton spitale. Ashtu si
Vasili dhe Grigori, edhe ai e kalon një pjesë të ditës së tij me të sëmurët, duke mbikëqyrur gjithçka dhe duke shërbyer edhe vetë. Përveç të sëmurëve, kuj-desej edhe për të burgosurit. Ai i vizitonte të burgosurit çdo të mërkurë dhe të premte. Me anë të fondeve të mbledhura lironte robër dhe të burgosur. Kështu u shpreh ai në një deklaratë: “Floriri nuk u gjet për të na lidhur – domethënë me byzylykë e varëse floriri – por për të na zgjidhur nga pranga e zinxhirë”.
Të tre shenjtorët qëndronin me përzemërsi dhe përulësi përpara të dobtëve dhe me guxim dhe dinjitet fisnik përpara të pushtetshmëve. Ata nuk ngurronin të luftonin padrejtësinë e kryer qoftë nga njerëzit e thjeshtë, qoftë nga pushtetarët.
“Nuk di të jenë formuluar mendime më tronditëse për pasurinë dhe pangopësinë e njerëzve se mendimet e tyre”, - shkruan Anastasi, Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, në librin e tij “Globalizmi dhe Orthodhoksia”.
Vasili i Madh nuk ngurron të quajë hajdut, jo vetëm atë që i vjedh rrobat dikujt, por edhe atë që, edhe pse mund të ofrojë veshje dhe mbështetje, nuk e bën këtë. Ajo që ai përmend vazhdimisht nuk është vetëm të qenët i pasur, por edhe prirja për pasuri e cila prek jo vetëm të pasurit, por edhe të varfërit.
“Më vjen vërtet turp”, - thotë Gojarti, - ” kur shoh njerëzit e pasur hipur mbi kuaj të zbukuruar me ar, të ndjekur pas nga skllevërit e tyre me rroba ari.
Në shtëpitë e tyre kanë shtretër argjendi dhe të tjera gjëra luksoze. Por kur u kërkohet t’i japin diçka njeriut të varfër, menjëherë bëhen më të varfërit e të varfërve. Një bamirësi e këtillë nuk na duhet. Dashuri do të thotë sakrificë; do të thotë bujari dhe ndjeshmëri “.
Nëpërmjet jetës dhe punës së tyre, tre Hierarkët na mësojnë dhe na ofrojnë shembullin e përjetshëm të njeriut, atë të shenjtit. Arritja e tyre kryesore ishte eklektika, përdorimi i filozofisë dhe i gjuhës së kohës së tyre si material ndërtimi i së vërtetës së Kishës, si një mjet i edukimit të njeriut dhe përqasjes ndaj tij. Për Etërit, dija nuk ishte qëllimi, por mjeti për ta përjetuar më tepër të vërtetën me fuqinë e ndriçimit shpirtëror. Ata nuk e ndoqën dhe e respektuan këtë dije në vetvete, por e panë atë të dobishme për njeriun dhe për të mirën e tij.
Qëllimi i shkollimit për Etërit nuk kufizohet te njohuritë dhe specializimi, por është udha e shpëtimit nga shëmbëlltyra te ngjashmëria, te përmbushja e potencialeve të njeriut, dhuratave të tij. Ky proces i vetëaktualizimit është një ngjitje dinamike lart, një udhë drejt ngjashmërisë me Perëndinë.
Kjo nuk është diçka teorike, por është jeta vetë. Orthodhoksia nuk ekziston pa Orthopraksinë, pasi teoria nuk ka as ekzistencë dhe as vlerë pa praktikën. Kjo ndarje mes teorisë dhe praktikës nuk ekzistonte as në jetën e këtyre tre Etërve dhe as, më gjerë, në jetën e shenjtorëve të Kishës.
Jisu Krishti ofroi arsimin më të lartë jo vetëm me Fjalën e Tij, doktrinën e Tij, por më tepër me jetën e Tij dhe sakrificën e Tij në kryq. Të tre Hierarkët iu bashkuan Trupit të Kishës Triumfuese me imitimin e Perëndisë, sipas traditës pavliane te “Më imitoni mua, ashtu si unë jam imitues i Krishtit.” (1 Kor. 11: 1).
Shkollimi ka të bëjë me thelbin e jetës, realizimin e njeriut si njerëzor, rrugën drejt Perëndisë, hyjnizimin. “Shkollimi është kungimi me shenjtërinë”; këtë propozojnë Etërit për sfidat e çdo shoqërie të globalizuar.
Vëllimi IV, 2020
![](https://assets.isu.pub/document-structure/200515121652-fa7f205617fe38ddffec93635a57699c/v1/d341f5b569128c6b93bfb9e2496c1e50.jpg?width=720&quality=85%2C50)