1 minute read

Paralajmërime për investime

Ulqin – Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviq, i shoqëruar nga gjashtë ministra të kabinetit qeveritar, kanë qëndruar të martën (31 janar 2023) në vizitë pune në Komunën e Ulqinit.

Ata janë takuar fillimisht me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari dhe bashkëpunëtorët e tij, me të cilët kanë biseduar për disa projekte zhvillimore në këtë komunë. Abazoviq ka paralajmëruar investime të reja në Ulqin si parakusht për zhvillimin e turizmit në këtë komunë më të varfër në bregdetin e Malit të Zi. Në këtë kuadër, ai ka thënë se Ndërmarrja Publike “Të Mirat Detare” do të hapë së shpejti konkursin ndërkombëtar për rregullimin e Ranës

Advertisement

(Plazhit të Vogël) dhe hapjen e tunelit që do ta lidhë atë me Limanin. Pasi që ka vizituar vendet ku dikur kanë qenë ish-hotelet “Galeb” dhe “Jadran” si dhe hoteli “Mediteran” ku janë duke u kryer punimet për rikonstruktimin e disa vilave të tij, kryeministri Abazoviq ka paralajmëruar ndërtimin e tre hoteleve me pesë yje, ku do të punësohen rreth një mijë punëtorë.

Gjatë vizitës në Ulqin, delegacioni qeveritar ka vizituar Shtëpinë e Shëndetit dhe Shërbimin e Urgjencës, Molin e Madh ku janë duke u kryer punimet për rregullimin e tij, lokalitetet e ish-hoteleve “Galeb”, “Jadran” dhe hotelin “Mediteran”, Port Milenën, Plazhin e Madh dhe vendin ku pritet të ndërtohet stadiumi i futbollit. Krahas kryeministrit Abazoviq, pjesë e delegacionit kanë qenë nënkryetari i Qeverisë dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Vlladimir Jokoviq, ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Goran Gjuroviq, ministrja e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit, Ana Novakoviq – Gjuroviq, ministri i Shëndetësisë, Dragosllav Shqekiq, ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, dhe ministri i Sportit dhe Rinisë, Vasilije Llallosheviq.

Kjo është vizita e parë zyrtare që Abazoviqi në krye të Qeverisë së Malit të Zi i ka bërë Ulqinit.

This article is from: