1 minute read
Në vizitë zyrtare njëditore Komunës së Gucisë
Guci - Sekretarja e përgjithshme e porsazgjedhur e Bashkësisë së Komunave të Malit të Zi, Mishella Manojlloviq e shoqëruar nga ekipi i vet profesional: ndihmës-sekretarja e përgjithshme për Bashkëpunim ndërkombëtar dhe integrime evropiane, Vanja Starovllah, sekretarja e Këshillit për veprimtari komunale dhe mjedis jetësor, Sanja Zhivkoviq, sekretarja e Këshillit për financimin e vetëqeverisjes lokale, Zhana Gjukiq, dhe sekretarja e Këshillit për veprimtari shoqërore, Ivana Nedoviq, të mërkurën më 1 shkurt 2023 ishin në vizitë zyrtare njëditore Komunës së Gucisë, të cilët në rezidencën e Komunës i priti dhe u dëshiroi mirëseardhje kryetarja e Komunës Anella Çekiq, bashkë me nënkryetarët e Komunës, Huso Brdakiq dhe Edon Balidemaj.
“Bashkësia e Komunave edhe në të ardhmen do t’i përfaqësojë interesat dhe nevojat e të gjitha komu- nave duke i përfillë dhe respektuar veçantitë e tyre dhe më intensivisht të veprojë në ngritjen profesionale të nëpunësve dhe zyrtarëve”, ka thënë në fjalën e rastit sekretarja e përgjithshme e Bashkësisë së Komunave, zonja Mishella Manojlloviq në takimin me nikoqiren, kryetaren e Komunës Anella Çekiq, dhe nënkryetarët e saj, Brdakiq dhe Balidemaj. Ajo ka paralajmëruar bashkëpunimin më intensiv dhe shkëmbimin e informatave të Bashkësisë së Komunave me anëtaret e veta, posaçërisht duke pasur parasysh se kryetarja e komunës së Gucisë, Anella Çekiq pak kohë më parë është edhe nënkryetare e Këshillit adminstrativ të Bashkësisë së Komunave të Malit të Zi. “Bashkësia e Komunave ofron mjaft mundësi të cilat komunat duhet që sa më tepër t’i shfrytëzojnë”, është shprehur kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq në bisedën konstruktive dhe koncize me sekretaren e përgjithshme, zonjën Manojlloviq. Në takimin dypalësh është bërë fjalë mbi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me diasporën dhe shtytjes së këtij lloji aktivitetesh investuese. Po ashtu është theksuar nevoja për krijimin e kushteve për valorizim më të madh të potencialeve natyrore të komunave në Veri të Malit të Zi, me qëllim të zhvillimit të turizmit dhe bujqësisë. Në takim është konkluduar se ekziston nevoja për fuqizimin e shërbimeve profesionale të komunave për zbatimin e projekteve të Bashkësisë Evropiane.
Advertisement
Gjatë takimit, përfaqësuesit e Komunës kanë parashtruar problemet me të cilat përballen në punën e vet e është bërë fjalë edhe mbi propozimet e aktiviteteve të planifikuara të Bashkësisë së Komunave, në bazë të hulumtimeve të nevojave aktuale të anëtareve të Bashkësisë së Komunave.