1 minute read
Macja dhe miu
Ka shumë tregime dhe aforizma për miun dhe macen, ka edhe shumë fjalë të urta, thënie si “shkojnë si macja dhe miu“, ose „çka del nga macja, gjuan minj“ etj., të cilat çdoherë zgjonin interesimin tim.
Që i vogël më interesonte kjo marrëdhënie mes tyre. Në kullën tonë kishte një vrimë në mur dhe gjithmonë kishte minj. Macja gri, nuk e di se pse e quanim „Mica“, qëndronte para kësaj vrime me orë të tëra. Aty qëndroja dhe unë ndonjëherë dhe prisja çfarë do të ndodhë. Prisja i shtrirë në bark, me kërshërinë e spektatorit që pret në teatër para një shfaqjeje. Mbretëronte një qetësi e plotë. Herë pas here dëgjohej zëri i gjyshes „mic-mic“, që thërriste macen për ta ushqyer, por ajo mblidhej edhe më shumë për të mos u zbuluar dhe për të mos rënë në sy. Ndërsa për mua nuk çante kokë fare! Unë isha pothuajse pjesë e këtij rituali. Dikur, ndërsa zorrët e mia filluan të fërshëllejnë nga uria, dëgjova një zhurmë të dobët që vinte nga vrima. Me sa duket, miu u mërzit në vrimë dhe donte të dilte. Miu ngriti veshët dhe sytë e tij morën një ngjyrë të çuditshme: ishte pamja e urrejtjes. Një hije e vogël e zezë doli nga vrima dhe takoi vështrimin urrejtës të Micës. Miu dukej sikur turpërohej nga ky shikim. Ndjenja e fajit e kishte kapluar të tërin saqë kishte humbur orientimin për hapësirën dhe kohën. Jo, frikë nuk kishte. Në sytë e tij shihja vetëm ndjenjën e fajit. Priste i shtangur. Lëvizi buzët e vogla, sikur donte të thoshte: „Më fal“. Një lëvizje e shpejtë e Micës ndërpreu lëvizjen e buzëve të tij. Thonjtë dhe dhëmbët e Micës ishin tashmë të ngulitur thellë në trupin e vogël të miut. Ai i kishte sytë mbyllur dhe dukej i kënaqur që kjo shfaqje kishte mbaruar. Mica, pasi e gëlltiti, lëpiu putrat si për t‘u thënë: - Ju falemimnderit!
Advertisement
- dhe pastaj zgjati trupin në shenjë vetëkënaqësie dhe i hodhi edhe një vështrim urrejtës vrimës nga doli miu. Më vështroi mua, m’u duk se po më thoshte:
- E sheh ç‘është urrejtja?!
Kësaj radhe shikimi i saj ishte tjetër, pa urrejtje. Dëgjova zërin e gjyshes që po më thërriste për të ngrënë drekë.
- Ku ishe? - më pyeti gjyshja. Dhe unë, në vend të përgjigjes, thashë:
- Gjyshe, Mica i urren minjtë!
Ajo filloi të qeshë me zë të lartë. Qeshte aq fort sa më dukej se dridheshin muret e trashë të kullës.
- Zot, çka thashë?! - mendova në vete.
- Të gjitha macet i urrejnë minjtë –shtoi ajo dhe iku gjithnjë duke qeshur. Nga të qeshurat e saj mezi dëgjova:
- Eja me hangër bukë, tash. Më kishte ikur oreksi dhe as uri nuk kisha më. Më dukej sikur më thoshte:
- Eja të urrejmë!