Gazeta reporter.al, numri 57

Page 4

4

Maj 2020

INVESTIGIM

Alibia e paverifikuar kapitullon hetimet e dosjes “Toyota Auris” Një skenar i pretenduar për një pronar gjerman të 3.4 milionë eurove të sekuestruara në Durrës dhe ambicieve të tij për të blerë toka në bregdet rrëzoi hetimet e kryera në Shqipëri, Belgjikë dhe Gjermani për rrjetin e dyshuar të pastrimit të parave përmes importit të makinave “Toyota Auris” –pa u verifikuar as nga Prokuroria dhe as nga Gjykata. KLODIANA LALA | BIRN | TIRANË

M

brëmjen e 13 marsit 2019, një qytetar gjerman i quajtur Carlo Rizzatto zbriti në aeroportin e Rinasit me një histori të pabesueshme në bagazh – ai pretendon se është pronari i rreth 3.4 milionë eurove të sekuestruara në portin e Durrësit dy vjet më parë, si pjesë e dosjes hetimore të njohur si “Toyota Auris”. Ditën e dytë të qëndrimit në Tiranë, më 15 mars, 59-vjeçari nga Shtutgarti u shfaq vullnetarisht para një oficeri të policisë gjyqësore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ai u prezantua si biznesmen i përpunimit të floririt me ambicie për të investuar në fushën e turizmit në Shqipëri. Rizzatto pretendoi gjithashtu se ishte burimi i shumës më të madhe të parave të sekuestruara ndonjëherë nga policia shqiptare. “Këto vlera monetare janë të ardhura që burojnë nga ushtrimi i biznesit të përpunimit të metaleve të çmuara në adresën Friedrich STR, 29, Gjermani,” mësohet të ketë thënë Rizzatto në dëshminë e tij. “Ia kam dhënë cash Elvis Vladit për fillimin e një veprimtarie biznesi”. Pas ndalesës së shkurtër në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, Rizzatto u nis sërish drejt Rinasit, prej nga u largua me një avion të orës 15:00 të linjës Austrian Airlines. Në Tiranë, alibia e tij përmbysi rrjedhën e njërit prej hetimeve më të bujshme të viteve të fundit –e cila po shkon drejt gjykatës si një çështje e rëndomtë e mosdeklarimit të vlerave monetare në kufi. Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes dokumenteve gjyqësore tregojnë se hetimet e kryera në Shqipëri, Belgjikë dhe Gjermani për zbulimin e rrjetit të personave që qëndrojnë pas 3.4 milionë eurove u barazuan me zero në gjykatë –pas shfaqjes së skenarit të denjë për një film, që aludonte se paratë kishin si burim një biznesmen gjerman dhe si destinacion, blerjen e një sipërfaqeje toke në bregdetin e Shqipërisë. Në funksion të këtij versioni, i akuzuari kryesor i çështjes, Elvis Vladi pranoi se kishte kryer shkelje që nuk i deklaroi paratë në kufi, ndërsa shkarkoi nga përgjegjësitë pesë të pandehurit e tjerë të çështjes. Alibia e Vladit i ngjan qindra skenarëve që përdoren rëndom në gjykata për t’i shpëtuar drejtësisë. Megjithatë, një gjyqtar i Krimeve të Rënda e konsideroi atë të besueshme dhe pasi rrëzoi akuzat për pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, e urdhëroi Prokurorinë që të faktonte pretendimet e të pandehurve. Dokumentet gjyqësore tregojnë se Prokuroria nuk e verifikoi alibinë, ndërsa gjykata bëri një sy qorr ndaj hetimeve të

Adresa e kompanisë “Gerber Consulting” në Iserlohn të Gjermanisë. Foto: Google Map.

mangëta, duke legjitimuar kërkesën e avokatëve mbrojtës për kualifikimin e veprës penale. E pyetur për dështimin e hetimit, Prokuroria u përgjigj se ndryshimi i akuzave ishte diktuar nga vendimi i gjykatës. Në të kundërt, gjyqtari Fran Prendi fajëson në vendim Prokurorinë për hetime të paplota dhe mungesë provash ndaj të pandehurve. Radovan Çela, avokat i të pandehurve Elvis dhe Alfred Vladi si dhe i Alban Mollaymerit i tha BIRN se “Prokuroria kishte zero prova përveç 3.4 milionë eurove”, ndërsa mburri vendimin paraprak të gjyqtarit Fran Prendi si një ndër më të mirët që kishte lexuar ndonjëherë. Avokati Çela shtoi se alibia ishte mënyra e tyre për të treguar se kujt i përkisnin paratë, ndërsa ishte i paqartë për rrethanat e njohjes së Vladit me Rizzatton apo detajet e shkëmbimit të pretenduar të parave. “Karlo m’u duk bindës, ai është në moshë madhore dhe mban përgjegjësitë e veta për atë që deklaron,” tha avokati. Aksi Belgjikë-Gjermani Në qershor 2018, sekuestrimi i gati 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit shpërtheu si një çështje që ndërthurte krimin e organizuar me botën e politikës në Shqipëri. Paratë u gjetën mëngjesin e 24 qershorit të ndara në 3.336.700 euro dhe 80 mijë franga zvicerane si dhe të fshehura në tapiceritë e dyerve anësore të dy makinave të importuara nga Belgjika. Në Tiranë, lajmi mbërriti më herët se paratë.Në një fjalim në Parlament më 21 qershor 2018, lideri demokrat, Lulzim Basha paralajmëroi trafikimin e parave me makina “Toyota Yaris” dhe akuzoi kreun e grupit socialist, Taulant Balla se kishte dalë garant për ato që i quajti “para të drogës”. Balla i mohoi akuzat dhe fitoi në gjykatë një padi për shpifje ndaj Bashës. Denoncimi i Bashës i dha dosjes emrin “Toyota Yaris”, ndonëse makinat e dorës së dytë i përkisnin markës “Toyota Auris”. Nën drejtimin e prokurorëve Doloreza Musabelliu dhe Ened Nakuçi, Prokuroria e Krimeve të Rënda e regjistroi procedimin penal në korrik 2018. Hetimi u shtri më pas ed-

he në Belgjikë dhe Gjermani, shtete të cilat sollën një mal me dokumente në Shqipëri përmes letër-porosive. Prokuroria akuzoi dy kushërinjtë Elvis Vladi, 39 vjeç dhe Alfred Vladi, 33 vjeç për krijimin e një organizate me qëllim pastrimin e parave me origjinë kriminale. Por kushërinjtë Vladi nuk u arrestuan asnjëherë nga policia. Në pranga përfunduan pronarët e karroatrecit “Bizark”, Eduart Cani dhe djali i tij, Klevi Cani, shoferi Agim Çeka dhe Alban Mollaymeri – pronari i një servisi në Tiranë në emrin e të cilit u zhdoganuan makinat.Sipas dokumenteve të hetimit, plani për transportin e parave përmes biznesit të importit të makinave të përdorura nga Belgjika duhet të ketë filluar në prill 2018, kur Elvis Vladi – një 39 vjeçar me origjinë nga Kalaja e Dodës, doli nga Shqipëria përmes pikës kufitare të Morinës, në shoqërinë e një personi me precedentë penalë.Lëvizjet e Vladit nga prilli në qershor jashtë Shqipërisë mbeten të paqarta. Por më 12 qershor, kushëriri i tij, Alfred Vladi kontraktoi në Tiranë Eduart Canin për një rrugë transporti makinash të përdorura nga Belgjika. Cani – i cili ndodhej në atë kohë në arrest shtëpie për dhunë në familje udhëroi të birin dhe shoferin Agim Çeka që të niseshin drejt Belgjikës. Mëngjesin e 13 qershorit 2018, karroatreci “Bizark” doli nga Shqipëria dhe pasi udhëtoi përmes pesë shteteve, mbërriti në qytetin Sherlo të Belgjikës pasditen e 16 qershorit. Autoritetet belge kanë ndërtuar itinerarin e lëvizjes së kamionit në Belgjikë përmes aktivizimit të antenave telefonike–duke rrëzuar versionin e treguar në Shqipëri nga të pandehurit. Sipas letërporosisë belge, Çeka dhe Cani nuk janë furnizuar me makina në qytetin e Sherlos, por rreth 50 kilometra më në veri – në komunën Sint Pieters Leeuw në rrethinat e Brukselit. Mëngjesin e 17 qershorit 2018, dy të arrestuarit janë takuar me Elvis Vladin në një servis makinash të quajtur AA and Automobile në Sint Pieters Leeuw, i cili menaxhohej nga vëllezërit me origjinë nga Gjakova, Alban dhe Arianit Nimani. Siç rezultoi më vonë, Nimanët, rreth krushqie me familjen e zgjeruar Vladi që jeton në Bruksel, kishin ndihmuar me vendosjen në dispozicion të servisit për parkimin e makinave. Dëshmitë e Agim Çekës, Klevi Canit dhe Arianit Nimanit identifikojnë Elvis Vladin si personin që kishte sjellë shtatë makinat “Toyota Auris” në servisin AA and Automobile. Sipas dëshmive, dy prej makinave brenda së cilave u gjetën më pas dengjet me euro, ishin dërguar më vonë prej tij me ndihmën e një karroatreci. Në dëshminë e tij për autoritetet belge, Arianit Nimani u distancua nga dijenia dhe tha se kishte autorizuar vetëm parkimin e mak-

inave, me kërkesë të xhaxhait të Elvis Vladit. “Xhaxhai i tij, Rahim Vladi i cili jeton në Belgjikë më kontaktoi për të ditur nëse mund të bëja një shërbim të vogël për Elvisin. Shërbimi konsistonte thjesht në autorizimin për parkimin e disa automjeteve, derisa të vinin t’i merrnin. Duke qenë se Elvisi ishte i afërm i familjes sime, nuk pashë ndonjë të keqe këtu,” ka thënë Nimani në dëshmi. Pyetjes nëse Elvis Vladi kishte dërguar më vonë dy makina “Toyota” me karroatrec, Nimani i është përgjigjur duke thënë se “nuk i kujtohej”. Më 18 qershor, kamioni i ngarkuar me shtatë makina “Toyota” dhe me gjasë 3.4 milionë euro ka lënë Belgjikën dhe ka udhëtuar për 166 kilometra në lindje drejt qytetit Ahen të Gjermanisë. Stacioni në këtë qytet ishte biznesi i Ilir Doçit, një tjetër shqiptar me origjinë nga Kukësi, që përgatiti më pas dokumentet e eksportit. I hetuar disa herë për evazion, mashtrim apo falsifikim dokumentesh në Gjermani, Doçi ka pranuar të merret në pyetje vetëm nga autoritetet gjermane, por jo nga ato belge apo shqiptare. Dëshmia e Ilir Doçit nuk ka hedhur megjithatë më shumë dritë mbi historinë, pasi ai ka mohuar të ketë bërë ndonjë veprim tjetër përveç dokumenteve. Ilir Doçi ka mohuar gjithashtu njohjen me kushërinjtë Vladi. Ai ka pranuar se njihte vetëm Alban Mollaymerin, për të cilin kishte përgatitur edhe më parë dokumentacion eksporti. Verifikimet e autoriteteve gjermane tregojnë se Mollaymeri ndodhej në Shqipëri ditën kur në emër të tij përgatiteshin dokumentet doganore në Ahen dhe nuk rezulton t’i ketë firmosur ato. “Dy rrugë të tjera për llogari të Fredit” Në shtator 2019, Prokuroria e Krimeve të Rënda i dorëzoi gjykatës kërkesën për gjykim për gjashtë të pandehurit e çështjes “Toyota Auris”. Në kërkesë, e shkuara e të akuzuarit kryesor, Elvis Vladi është inekzistente, ndonëse 39 vjeçari nuk është një personazh krejt i panjohur. Në maj 2015, Vladi shfaqet në raportet e policisë britanike si i arrestuar bashkë me një grup shqiptarësh të përfshirë në shpërndarje droge në Londrën veriore. Banda ndiqej nga një agjent i infiltruar prej muajsh në Britani dhe gjatë operacionit iu sekuestruan 16 kilogramë kokainë dhe një sasi parash në cash. Megjithatë, Elvis Vladi u shpall i pafajshëm në janar 2016, pasi akuzat ndaj tij u rrëzuan.


Turn static files into dynamic content formats.

Create a flipbook
Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.