2 minute read
Katastrofa e “të papërmbytshmit”
Momenti
(vijon nga numri i kaluar) Duke qenë kaq e “sigurt” dhe kaq moderne, ajo mblodhi një numër të konsiderueshëm njerëzish të famshëm e të pasur, në mesin e tyre njerëz të artit, të shkencës, të teknologjisë dhe profesioneve të tjera të rangut të lartë. Në mesin e tyre koloneli John Jacob Astor (1864-1912), pasuria e të cilit i kalonte 150.000.000, tregtari dhe bankieri Isidor Straus (1845-1912) me 50.000.000, drejtori i “International Mercantile Marine” J. Bruce Ismay (1862-1937) me 40.000.000, financieri Benjamin Guggenheim (1865-1912) me 5.000.000, koloneli Washington Roebling (1837-1926)ndërtues i Urës së madhe të Brooklinit (1883), Charles M. Hays (1856-1912) - president i “Grand Trunk Railway”, W. T. Stead (1849-1912) - publicist i famshëm, Jacques Futrelle (1875-1912)gazetar, Henry S. Harper (1864-1944) i firmës “Harper & Bros”, Henry B. Harris (1866-1912) - drejtor teatri, major Archibald Butt (1865-1912) - ushtarak i presidentit të 27-të amerikan William Howard Taft (1857-1930), inxhinieri Thomas Andrews, i cili mbikëqyri ndërtimin e Titanikut dhe Francis Millet (1848-1912), njëri prej piktorëve më të njohur amerikanë [“The Sinking of the Titanic”,1912, f. 19].
Advertisement
Të gjithë këta i përkisnin klasit të parë të anijes, me lukset më të sofistikuara, të bëra në stile të ndryshme artistike. Duke qenë i dizajnuar në stilin e një hoteli lundrues, ishte menduar që pasagjerët e klasit të parë të harronin se ishin në një anije dhe të ndiheshin sikur ishin në një sallë të një shtëpie të madhe në tokë! Natyrisht, për këtë lloj udhëtimi edhe çmimi ishte i “dizajnuar”; kushtonte rreth 60.000 dollarë me llogari të sotme, për secilin nga 324 pasagjerët e këtij klasi, oferta më e shtrenjtë për akomodimin transatlantik. 30 £ për një dhomë të rregullt, ose 875 £ për një suitë sallonesh.
Klasi i dytë nuk ishte aq luksoz, prandaj ishte më i lirë. Në të u akomoduan vetëm 284 pasagjerë. Ndërkohë klasi i tretë kishte më së shumti pasagjerë - 709 dhe kushtonte vetëm 35 dollarë - 650 dollarë sipas llogaritjes së sotme. Kjo pjesë ishte e projektuar fare thjesht, muret e çelikut ishin të lyera me të bardha ose të veshura me panele druri. Ato paguanin 3 dhe 8 £ për suitë. Shumica e tyre u akomoduan në “konviktin” me 164 shtretër të kuvertës “G”. Kishin vetëm dy banjo për të gjithë pasagjerët dhe nuk guxonin të kalonin në ambientet e klasit të parë dhe të dytë. Gjithsejt 1.317 pasagjerë, përfshirë 13 çifte për muajin e mjaltit, 60 përqind meshkuj, 34 përqind femra, ndër ta 107 fëmijë. Bashkë me 908 anëtarët e ekuipazhit, numri i qenieve njerëzore arrinte në 2.225. Ishin edhe nëntë qenë e një derr.
Më 10 prill 1912 “Titanic” filloi lundrimin nga porti i Southampton-it (Britani e Madhe) në drejtim të Nju Jorkut, ku planifikohej të arrinte pas shtatë ditësh, përkatësisht në mëngjesin e 17 prillit. Deri të dielën më 14 prill, me pasagjerët gjithçka shkoi si duhet [“The Sinking of the Titanic”, 1912]. Ditën e parë kaloi me një lundrim të qetë prej 484 miljesh. Ditën e dytë prej 519 miljesh për të arritur më pas në 549 milje, shpejtësia më e madhe e shënuar deri në atë kohë, por që ende nuk e kishte arritur kapacitetin e mundshëm! Në rastin e kushteve të volitshme, këtë do ta arrinte të hënën, por e hëna nuk erdhi kurrë!
Në orën 22:40 të 14 prillit, operatori telegrafik i Titanikut mori shumë vërejtje nga anijet që kalonin në këtë zonë për mollo akulli që kishin përpara, por siç u tha, mesazhet nuk u transmetuan! Vetëm 20 minuta para mesnatës së 14 prillit 1912, Titaniku u përball me një të tillë në ujërat e errëta e të qeta të Atlantikut Verior. Kapiteni dha urdhër që të ndalen motorët dhe të bënin rotacion të kundërt, por ishte shumë vonë, sepse vetëm 37 sekonda më pas “i papërmbytshmi” u gjend përballë katastrofës. Kapiteni i dytë Lightoller u ndie i shqetësuar: “Në rrethana normale një rast i këtillë nuk do të ishte për asnjë shqetësim, por atë natë gjithçka ishte kundër nesh” [Lord:1986, f. 71].