3 minute read
“Shkolla shqipe në Ulqin”
Një monografi për ata që u sakrifikuan dhe kontribuan për shkollën shqipe në Komunën e Ulqinit
Historia e arsimit shqip në Mal të Zi në përgjithësi, e në Ulqin në veçanti, ka kaluar nëpër periudha të ndryshme historike, me ngritje dhe rënie, varësisht nga rrethanat kombëtare dhe ndërkombëtare që ekzistonin. Hapja e shkollave në gjuhën shqipe në trevat shqiptare ishte një punë mjaft e vështirë dhe e rrezikshme, sepse ky segment i jetës së popullit tonë qe i ndeshur me pengesa të panumërta, siç ka shkruar ideologu i Rilindjes sonë Kombëtare, Sami Frashëri: ”U bashkuan të gjithë për ta ndaluar të shkruarit e gjuhës shqipe, osmanlinj (turqit), grekë e të tjerë, sado që janë armike në mes tyre, i dhanë dorën njëri-tjetrit kundër neve”.
Advertisement
Kjo e vërtetë e dhimbshme tregon qartë se arsimi i shqiptarëve ka qenë një fushë e anashkaluar dhe e urryer nga okupatorët e huaj. Kurrë të tjerët, si okupatori serb, turk, grek e të tjerë, nuk ia kanë dashur të mirën shkollës shqipe. Mirëpo, populli ynë liridashës dhe arsimdashës, edhe në kushte shumë të rënda pune, kurrë nuk ka hequr dorë nga e drejta e shkollimit. Ai ka luftuar përherë në hapjen e shkollave në gjuhën amtare shqipe. Andaj, rrugëtimi i shkollës shqipe ishte një rrugëtim i gjatë, i dhimbshëm dhe me pasoja të rënda e tragjike. Megjithatë shqiptarët e kuptuan se arsimi është drita e jetës së tyre. Se pa arsim, s’kanë as ecje përpara. Se arsimi është vet shpirti i tyre. Se vetëm ai popull që e ka arsimin e zhvilluar është popull i civilizuar dhe përparimtar. Edhe Naimi ynë i madh, pos tjerash, ka shkruar: “Vetëm drita e diturisë, përpara do na shpjerë”. Ky aspekt besojmë se ishte edhe arsyeja që autorët Hajro Ulqinaku dhe Prim. Dr. Gani Karamanaga të përgatisin një vepër për arsimin e shqiptarëve në shkollat shqipe në Komunën e Ulqinit, me qëllim të pasqyrimit të kësaj pjese të dijes e diturisë së kësaj treve. Me entuziazmin, vullnetin për punë dhe dashurinë e tyre për të lënë një dokumentar për historikun e shkollave në fjalë, shlyen një borxh ndaj arsimit dhe edukimit fillor dhe të mesëm në disa periudha të caktuara kohore në këtë komunë. Monografia “Shkolla shqipe në Ulqin” ( Historiku dhe veteranët) tenton ta mbajë gjallë në kujtesën tonë dhe të mos kalojë në heshtje rruga tepër e vështirë e arsimimit të shqiptarëve në trojet e veta etnike, pra edhe në Ulqin me rrethinë.
Ky leksikon shërben edhe si një shprehje falendërimi e mirënjohjeje për afro 60 veteranë/e të arsimit sa janë përfshirë këtu, të cilët me punën e tyre ringjallën shpresat e shqiptarëve dhe shqiptareve dhe e mbajtën të ndezur zjarrin e atdhedashurisë te popullata vendase.
Pasqyrimi i jetëshkrimeve të punëtorëve arsimorë të shkollës shqipe, midis tyre edhe joshqiptarë, është diçka që e bë këtë monografi më të plotë dhe më të rëndësishme, sepse aty del në dritë kontributi i tyre i madh për mbijetesën e shkollës shqipe. Atdhetarët, arsimdashësit shqip, të gjithë ata që kanë qenë të vendosur për mësimin e fëmijëve shqiptarë në gjuhën amtare (shqipe), kanë rrezikuar dhe sakrifikuar shumë që të hapen shkollat shqipe. Këta pishtarë/e të arsimit, të përfshirë brenda këtij botimi me vlerë, që kishin kryer shkollimin në territorin e Jugosllavisë së Parë (1918-1941), pastaj në Shqipëri, në Shkollën Normale në Gjakovë dhe në Shkollën Normale në Prishtinë, edhe pse u përballen me shumë probleme e vështirësi të mëdha, punuan me vetëmohim të papërshkrueshëm pa u ndalur ditë as natë. Për çfarë? Për t’ua mësuar fëmijëve tanë që ishin të etur për dituri alf-betin dhe shkrim-leximin, por edhe shumë të rrituve nëpër kurse që organizoheshin në Komunën e Ulqinit. Dhe me të drejtë, ulqinakët dhe ulqinaket i kishin pritur këta mësues/e me dashuri vëllazërore, me respekt e mirënjohje të thellë për misionin e tyre të shenjtë në arsimimin, edukimin dhe emancipimin e popull- sisë shqiptare të këtyre trevave. Me botimin e këtij libri nga bashkautorët tanë Hajro Ulqinakut e Prim. Dr. Gani Karamanagës, i shtohet edhe një vlerë tjetër bibliotekës shqipe, për njohjen e vlerave arsimdashëse të popullit tonë në periudha të ndryshme historike, me theks të veçantë pas Luftës së Dytë Botërore. Ky dokument publicistik jep të dhëna mjaft me interes jo vetëm për rrugëtimin e procesit mësimor të shkollave shqipe në Ulqin, por edhe shënime të tjera rreth objekteve shkollore të hershme dhe atyre të ndërtuara në një kohë më të vonshme. Të gjitha këto e tekste të tjera të autorëve të tjerë shqiptarë, të ilustruara me shumë fotografi autentike të kohës së hershme dhe të tashme, ia rrisin rëndësinë që ka kjo monografi, e cila shpresoj se do të mirëpritet e adhurohet nga arsim- dashësit e kësaj ane. Botimi i kësaj monografie që flet për rrugëtimin e shkollave shqipe të Ulqinit, pa dyshim është një rast i mirë që autorët e veprës do ta ndihmojnë lexuesin për njohjen e një periudhe të caktuar të punës së shkollave fillore të kësaj komune. Është një rast i evokimit të një historie të shkollave shqipe të kësaj ane, të cilat sado që patën dhunë barbare nga të huajt, ato (shkollat shqipe) mbijetuan dhe arsimuan shkollarë të ardhshëm që e luftuan errësirën drejt dritës së jetës. Autorët e këtij libri kanë bërë përpjekje dhe ia kanë dalë faqebardhë të paraqesin një pjesë të punës, rrugëtimit dhe arsimimit të gjeneratave të hershme të Ulqinit nëpër një sistem të egër e barbar që kurrën e kurrës nuk ia deshi të mirën shkollës shqipe dhe arsimin e popullit të saj.