2 minute read

Kritikë dukurive negative në shoqëri përmes humorit dhe satirës

Është pikërisht ky stili i nobelistit Italian, Dario Fo përcjellë tek publiku pikërisht këto pargjykimet ndërmjet shtresave në shoqëri që na vijnë përmes personazheve, në këte rast hajdutit dhe zoteriut si dy protegonistët më kryesorë të kësaj shfaqjeje”, thotë aktori Bashkim Alaj

Podgoricë – Në Teatrin Kombëtar të Malit të Zi, aktorët e Teatrit “Teuta” nga Ulqini shfaqën të premtën mbrëma (10 mars 2023) komedinë “Hajdutët nuk vijnë gjithmonë për të keq”, e autorit, dramaturgut të njohur Dario Fo, me regji të Edina Mustafiq-Avdiu, ndërsa producent është Munib Abazi. Në prani të një numri të konsiderueshëm të publikut, aktorët e teatrit në fjalë, përmes humorit dhe satirës pasqyruan dukuri negative të cilat kanë qenë të pranishme në shoqëri, janë dhe mund të jenë. Aktorët kritikojnë këto dukuri, duke u përpjekur që nëpërmjet aktrimit të tyre të kenë influencë në përmirësimin apo çrrënjosjen e tyre.

Advertisement

Njëri ndër aktorët e Teatrit “Teuta”, Bashkim Alaj në prononcimin për gazetën “Koha Javore” tregon se veprat e nobelistit Dario Fo prekin apo ironizojnë shtresën e lartë të shoqërisë, e mbi të gjitha politikanët.

“E tillë është edhe komedia ‘’Hajdutët nuk vijnë gjithmonë për të keq”, ku e bën dallimin midis këtyre dy shtresave, atë të hajdutit i cili në fund del më i sinqertë dhe më i pastër shpirtërisht se sa klasa e zotëriut të banesës. Dhe janë pikërisht ato situatat me të cilat përballen personazhet”, shprehet Alaj.

Aktorët në fjalë përmes aktrimit tregojnë se me çfarë përballet sot shoqëria, duke u përpjekur që të ndryshojnë diçka për të mirë.

“Por sa ja kemi arritur ta përçojmë këtë mesazh mbetet për t’u parë, por edhe zbatimi i këtij mesazhi gjithashtu mbetet për t’u parë”, thekson Alaj. Ndërkohë, ai më tutje thotë se porosia e kësaj vepre është gjykimi që i bëhet gjithmonë një shtrese që është e shkelur nga shoqëria, por që është e detyruar që të mbijetojë apo të punojë edhe punë të rënda në mënyrë që t’ia dalë.

“Dhe kështu krijohet një paragjykim për ta. Ndërkohë, në anën tjetër kemi një politikan që është një personazh i njohur në shoqëri, por që në jetën e fshehtë të tij i ka edhe ky mbi njëmijë të zeza, mirëpo në shoqëri gëzon respekt dhe reputacion. Është pikërisht ky stili i nobelistit Italian, Dario Fo që përcjellë tek publiku pikërisht këto pargjykimet ndërmjet shtresave në shoqëri që na vijnë përmes personazheve, në këte rast hajdutit dhe zoteriut si dy protegonistët më kryesorë të kësaj shfaqjeje”, thotë aktori Bashkim Alaj.

I pyetur se ku do të vazhdojë kjo komedi rrugëtimin e mëtejshëm, Alaj thotë se duke qenë se është admiruar nga publiku, shfaqja do të jepet në Tiranë dhe Prishtinë, e më pas tendencat e tyre janë që të marrin pjesë nëpër festivale të ndryshme në rajon dhe më gjerë.

“Pra kemi dëshirë që nëpërmjet këtyre turneve të promovojme edhe një tjetër lëmi të shqiptarëve në Mal të Zi, atë të teatrit, artit skenik”, përfundon Alaj, Kjo është hera e parë që aktorë të Teatrit “Teuta” luajtën në skenën e Teatrit Kombëtar të Malit të Zi përmes komedisë “Hajdutët nuk vinë gjithmonë për të keq”, ndërsa premiera e kësaj komedie është shfaqur më 14 shkurt në Ulqin. t. u.

This article is from: