1 minute read
Tregime humoristike që ngjallin kërshërinë e lexuesit
Shkrimtari Asllan Bisha ka ardhur këto ditë para lexuesit me librin e ri “Ndodhitë e Ditit”, që përbëhet nga gjashtë tregime humoristike që ngjallin kërshërinë e lexuesit. Disa prej tregimeve bazohen në ngjarje reale, të cilat autori i stilizon artistikisht duke ndërtuar skena komike, tërheqëse për lexuesin. Bisha dëshmohet si mjeshtër i tregimit humoristik, i cili lëvron me sukses pothuajse të gjitha llojet e prozës. Mjedisi ku zhvillohen ngjarjet e tregimeve është ai vendas
– kryesisht Ulqini me rrethinë, që autori e njeh mirë. Rrëfimi dhe gjuha e thjeshtë e ndihmojnë lexuesin të kuptojë lehtë mesazhet që përçon secili tregim veç e veç dhe libri si tërësi. Redaktor i librit është Dr. Haxhi Shabani, recensentë Ismet Kallaba dhe Gani Karamanaga, lektor Sabri Halili, ballinën e ka punuar piktori Agron Ujkashi, kurse redaktor teknik është Gazmend Çitaku.
Advertisement
Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, kurse është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë.
Asllan Bisha është autor i rreth njëzet librave në prozë, për fëmijë dhe të rritur. Është njëri ndër përpiluesit e antologjisë “Dritaren lëre hapur” si dhe është përfshirë me tregime në antologji të ndryshme. Po ashtu është i përfshirë edhe në planprogramet mësimore të shkollës shqipe në Malin e Zi. i. k.