5 minute read

Vepër e dëshmisë dhe pasqyrimit të denjë të gjenezës dhe identitetit të kombit shqiptar ndër shekuj

(Vazhdon nga numri i kaluar)

Në vazhdimin e trajtimit shtjellues, autori Ndiçim Kulla dëshmon se prej rreth dy shekujsh pyetja “Kush jemi ne shqiptarët?”, megjithëse jo shtruar drejtpërdrejt është një nga temat kryesore të mendimit shqiptar. Por ende nuk ekziston ndonjë libër që të ketë pretendimin për t’i kthyer një përgjigje shteruese kësaj pyetjeje. Autorët shqiptarë të cilët nisën të shkruajnë për kombin e tyre mbajtën një qëndrim të dyfishtë duke shkruar një variant për të huajt, glorifikues për kombin e tyre dhe një për bashkëkombësit e tyre, shumë kritik. Ky model nis me Pashko Vasën, i cili në vitin 1899 botoi në gjuhën frënge në Paris librin “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, të llogaritur për t´ju përgjigjur pyetjes së të huajve “Kush jeni ju shqiptarët?”. Në atë kohë Pashko Vasa shkroi për bashkëkombësit e vet poezinë e njohur “O moj Shqypni”, të llogaritur për t’ju përgjigjur pyetjes “Kush jemi ne shqiptarët?, në të cilën është shumë kritik ndaj kombit të tij. Në këtë mënyrë shkroi edhe vet Faik Konica, i njohur për gjuhën e tij thumbuese. Libri i tij “Shqipëria kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, është një libër glorifikues për shqiptarët, i llogaritur për lexuesin e huaj dhe që dallon shumë nga qindra e qindra faqe të Konicës ku ai është shumë thumbues ndaj të metave të bashkëkombësve të tij. Lexuesi i huaj nuk mund të mos mendonte se autori shqiptar i librit kishte pasur si qëllim që t’i gënjente të huajt me dinakëri. Meqenëse shtrohet përsëri nga të huajt me tendenca negativiste pyetja “Kush janë shqiptarët?”, shqiptarët janë të detyruar të rishtrojnë për debat pyetjen “Kush jemi ne shqiptarët?”. Po shqiptarët duhet ta rishtrojnë këtë pyetje për debat me qëllimin e kundërt, për të rivlerësuar pozitivisht me një reflektim ende më të thellë gjithë materialet e bollshme që ekzistojnë për këtë çështje. Ky është edhe qëllimi i librit të autorit Ndriçim Kulla. Ky libër nuk është shkruar me këndvështrimin e dyzuar që ka mbisunduar në mendimin shqiptar kur është fjala për libra që portretizojnë shqiptarët dhe të cilët duhet të jenë dy llojesh, ndryshe ata të shkruar për të huajt dhe ndryshe ata të shkruar për shqiptarët. Autori Kulla ka synuar të shkruajë një libër të njësuar, që t’ju përgjigjet njëlloj të dy pyetjeve “Kush jeni ju shqiptarët?” dhe “Kush jemi ne shqiptarët?”. Por pyetja “Kush jemi ne shqiptarët?” nënkupton edhe pyetjen se cila do të jetë e ardhmja për ne shqiptaret.

Advertisement

Autori Ndriçim Kulla në trajtimin shtjellues të pyetjes “Kush jemi ne shqiptarët?” thekson se në gjysmën e parë të shekullit XIX, studiuesi i njohur francez Aleksis Dë Tokvilë gjatë qëndrimit në Amerikë bëri një studim krahasues me vendin e tij Francën, duke e parë këtë si një këndvështrim të mirë për të kuptuar vendin dhe bashkëkombësit e tij francezë nëpërmjet krahasimit të shtjelluar në fillim të librit të tij të njohur “Demokracia në Amerikë”. Një këndvështrim të tillë propozoi Pashko Vasa jo shumë kohë pas botimit në Evropë të librit të sipërcituar të Aleksis Dë Tokvilë, kur thoshte se e kishte cituar më lart. Një veprim të tillë autori i këtij libri Ndriçim Kulla, ka filluar ta bëjë në fillim të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, kur fati e ka çuar si shumë shqiptarë, në jetën e emigrantit në një vend fqinj me Shqipërinë, në Greqi. Për prirjen e intelektualëve shqiptarë për të shkruar në mënyrë të dyfishtë, një variant për të huaj dhe një për bashkëkombësit e vet, si shembull i dokumentuar është ati i Mid’hat Frashërit, thekson autori Kulla dhe shton se ishte muaji prill i vitit 1919, pragu i nisjes së Konferencës së Paqes në Paris ku do të vendosej edhe fati i Shqipërisë, kur një studiues dhe politikan i ri shqiptar, Midʼhat Frashëri i dërgoi një letër antropologut të njohur zviceran me famë botërore Eguen Pitard ku i shkruante: “Unë dimrin e kaluar u paraqita si mik i doktor Turtullit. Ju më keni premtuar ndihmën tuaj të çmuar dhe më keni bërë një program për të punuar për çështjen shqiptare dhe nisja juaj për udhëtim në Paris, nisja ime nga Gjeneva përshpejtuan daljen e dy broshurave të vogla që unë i kam nxjerrë në emrin tim të shkrimeve Lumo Skëndo, si dhe dy harta për të risjellë kujtimin tuaj të mirë. Kam gjithashtu për botim një broshurë të titulluar “Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë atdheut”, për të cilën doja t’ju kërkoja nderin e një parathënie të shkurtër, nëse kjo lutje e imja nuk ju shqetëson”. Kështu, disa vite para se Faik Konica të niste të shkruante librin e tij për historinë e Shqipërisë, që mbeti i papërfunduar me titull “Shqipëria - kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, do të ishte Mid’hat Frashëri i cili nisi dhe përfundoi një libër të këtij lloji, glorifikues për shqiptarët me titull “Shqiptarët”, për të cilin po i shkruante profesor Pitardit. Me këtë ne kemi një shembull të mënyrës se si intelektualët shqiptarë të cilët nisën të shkruajnë libra për t’i bërë të huajt të njohin vendin dhe kombin e tyre, komunikonin me studiuesit e huaj.

Autori i librit “Kush jemi ne shqiptarët”, Ndriçim Kulla konfirmon se Basti i Mid’hat Frashrit, letrën e të cilit për Pitard e ka cituar më lart, është i pari kur është dokumentuar qëndrimi i dyfishtë i studiuesve shqiptarë, ndryshe kur shkruanin libra e artikuj të llogaritur për t’u lexuar nga të huajt, dhe ndryshe kur shkruanin për bashkëkombësit. Libri i Mid’hat Frashërit është ndërtuar mbi bazën e atyre që kanë shkruar të huajt dashamirës për shqiptarët. Ashtu si Pashko Vasa para tij, edhe Mid’hat Frashëri nuk mendoi se duhej shkruar një libër për shqiptarët, ku këta të portretizoheshin me të dyja, të mirat dhe të këqijat e tyre. Antropologu i njohur Eugen Pitard iu përgjigj në maj të vitit 1919 letrës së Mid’hat Frashërit. Përgjigjja e profesor Pitard ishte një model i përgjigjes që kanë marrë shqiptarët nga të huajt, të cilëve ua kanë paraqitur veten si komb me cilësi të shkëlqyera.

Në vitin 1924, pesë vjet pasi Mid’hat Frashëri kishte shkruar për bashkëkombësit e tij librin glorifikues me titull “Shqiptarët”, ai botoi një libër diametralisht të kundër me titull “Plagët tona”, aq të kundërt saqë ai që i lexon të dy librat nuk mund të mos pyes veten nëse bëhet fjalë për të njëjtin komb, apo për të njëjtin autor që i ka shkruar të dy librat.

Pashko Vasa ishte i pari që e vuri re rrezikun që përbënte për Mendimin Shqiptar kjo mënyrë e të shkruarit e dyfishtë. Duke mos pasur besim se do t’i bënte bashkëkombësit e tij të hiqnin dorë nga kjo gjë, ai kërkoi ta nxiste Mendimin Shqiptar që të hynte në linjën e krahasimit mes shqiptarëve dhe kombeve përreth Ballkanit. Pashko Vasa nuk e thoshte arsyen se përse duhet bërë ky krahasim, por duke gjykuar nga poema e tij e famshme “O moj Shqypni”, kuptohet se ai mendonte që ndërsa shqiptarët në kohën kur shkruante ai kishin nevojë që të “deheshin” me lavdinë e së shkruarës, deri edhe asaj shumë të largët në një kohë tjetër krahasimi i thelluar me kombet përreth tyre do t’u sillte dy të mira. Autori i librit në fjalë Ndriçim Kulla në fund të vështrimit të vet kushtuar veprës, thekson se pyetja “Kush jemi ne shqiptarët?” e cila është edhe titulli i librit, ka edhe një aspekt filozofik. Autorët e sotëm shqiptarë edhe kur bëjnë ndonjë përpjekje t’i përgjigjen pyetjes “Kush jemi ne shqiptarët?” në fakt i përgjigjen pyetjes “Kush kemi qenë ne shqiptarët në të shkuarën sipas autorëve të huaj dhe atyre shqiptarë?”. Por përgjigjja e pyetjes “Kush kemi qenë ne shqiptarët në të shkuarën sipas autorëve të huaj dhe atyre shqiptarë?”, duhet të jetë baza për të hulumtuar se si kemi evoluar ne shqiptarët dhe për të parë nëse në karakterin tonë janë rritur apo janë zvogëluar vetitë e mira, si dhe nëse janë rritur apo janë zvogëluar vetitë e këqija. Me plot gojë dhe pa hezitim vërtetë mund të konkludoj se autori Ndriçim Kulla përmes librit të vet “Kush jemi ne shqiptarët?” ka dhënë kontribut të madh në ndriçimin dhe pasqyrimin e gjenezës dhe identitetit të kombit shqiptar ndër shekuj. (fund)

This article is from: