Spektri mediatik shqiptar në fund të Luftës së Dytë Botërore
Hyrje
L
ëvizja e trupave ushtarake gjermane drejt Shqipërisë në javën e dytë të shtatorit 1943 nuk ishte zbatimi i një plani të paracaktuar dhe të mirëmenduar shumë kohë më parë. Pushtimi ishte një zgjidhje e detyruar nga rrethanat konkrete të luftës në terren, ishte një “mbushje boshllëku” që krijonte pafuqia dhe kaosi e që më pas u finalizua me kapitullimin pa kushte të Italisë fashiste, një aleate e ngushtë e gjermanëve që nga krijimi i Boshtit. Vera e atij viti u ndie edhe më përcëlluese me paralajmërime serioze se ditë edhe më të këqija do të vinin. Zbarkimi i trupave Aleate në Siçili e vuri në alarm shtabin e Hitlerit në shpejtimin e ngritjes së një zone “tampon” për mospërhapjen e valës së influencës anglo–amerikane në territorin ballkanik. Në këtë sfond u sendërtua dhe akti i pushtimit të Shqipërisë nga nazistët gjermanë në mëngjesin e 9 shtatorit 1943, vetëm pak orë pasi zyrtarisht Roma “ngriti duart lart”. Në mënyrë të dukshme të gjithë elementët përbërës të pushtimit të dytë të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, në planin politik, ushtarak, ekonomik, social, propagandistik etj., kishin një varg veçorish. Së pari, vërtet që nga gjermanët nuk kishte parapërgatitje të mëdha për ndërmarrjen e ofensivës ushtarake në Shqipëri, por ama ishte evident sforcimi dhe përkushtimi i tyre për të mos rënë në gabimet që bënë paraardhësit. Së dyti, ushtria naziste i drejtohej territorit shqiptar në momente jo të lavdishme për Boshtin. Rreth katër vjet e gjysmë më parë kur fashistët 13