Dinamika e transmetimeve radiofonike nё Shqipёri, 1938-2013
263
13.11 Qarku Vlorё Radio e parë private në Shqipëri, një prej testeve që konfirmoi se demokracia kishte shumë rrugë për të bërë. Ajo u godit nga autoritetet e kohës, si prova që media e pavarur nuk mund të pranohej kollaj në një vend që kishte kaluar rreth gjysmë shekulli në një diktaturë të egër. Pjesë e redaksisë në Radio Vlora nuk ishin gazetarë të mirëfilltë, por të rinj e të reja aktivë, të cilët u magjepsën dhe u emocionuan që në ditët e para nga efekti që krijuan tek dëgjuesit vlonjatë. Themeluesi dhe pronari Ferdinand Llambro, emigrant në Greqi, ishte kthyer në qytetin e lindjes plot ide dhe projekte. Thuajse të gjitha kursimet nga emigracioni i shpenzoi për blerjen e pajisjeve, të cilat i montoi brenda apartamentit ku banonte në Vlorë. Fillimet e radios ishin disi spontane, duke emetuar muzikë, duke lexuar ndonjë njoftim familjar apo nga bashkia, duke treguar ndonjë kuriozitet për privacinë e njerëzve të skenës dhe ekranit, duke dhënë rezultatet më të fundit sportive nga kampionati shqiptar dhe i huaj. Më pas, kur filluan buletinet e lajmeve, rubrika “Studio e Hapur”, “Pasqyra e shtypit ditor”, “Intervista në Radio Vlora” etj., nisën të krijonin probleme me autoritetet vendore, që nisën ta shikonin radion si “jashtë kontrollit”. Fondacioni SOROS në Tiranë e mbështeti radion në ditët kur pushteti i bënte presion, duke i bërë ngjarjet, pjesë të raportimeve dhe ekspertizave që organizatat për mbrojtjen e lirisë së medias prezantonin brenda dhe jashtë Shqipërisë. Falë një ndihme të konsiderueshme financiare nga Fondacioni SOROS, Radio Vlora u fuqizua në inventarin e saj teknik.